Nisma e re e qeverisë për të ndryshuar Kodin Penal në lidhje me dekriminalizimin e shpifjes ka ndezur një debat të fortë dhe ka hasur në kundërshtimin e prerë të shoqatave të gazetarëve dhe shoqërisë civile.
Ndonëse paraqitet si një hap përpara, kritikët argumentojnë se propozimi jo vetëm që dështon të realizojë një dekriminalizim të plotë, por krijon rreziqe të reja për lirinë e shprehjes. Problemi qëndron në devijimin nga një konsensus i arritur më herët pas një procesi të gjerë konsultimi me ndihmën e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.
Sipas Blerjana Binos, kërkuese në Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists Network), dakordësia fillestare mes të gjitha palëve, përfshirë qeverinë dhe parlamentin, ishte për depenalizimin e plotë si të shpifjes (neni 120), ashtu edhe të fyerjes (neni 119). Megjithatë, drafti i ri i paraqitur nga qeveria propozon një dekriminalizim selektiv dhe me kushte.
Në një intervistë në SYRI TV, Bino shprehet se , konkretisht, ai parashikon heqjen e dënimit penal për shpifjen vetëm për një kategori të caktuar: gazetarët "të regjistruar dhe të njohur". Ky kusht ka ngritur alarmin, pasi në Shqipëri nuk ekziston dhe, sipas standardeve europiane, nuk duhet të ekzistojë një regjistër i gazetarëve. Krijimi i një mekanizmi të tillë do t'i jepte një organi shtetëror apo administrativ pushtetin për të përcaktuar se kush kualifikohet si gazetar, një praktikë që bie ndesh me parimet themelore të lirisë së shprehjes, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Një tjetër pikë kritike sipas Binos është se nisma lë plotësisht të paprekur nenin që dënon fyerjen penalisht. Kjo do të thotë se edhe nëse një gazetar i "regjistruar" do të përjashtohej nga ndjekja penale për shpifje, ai sërish mbetet i ekspozuar ndaj akuzave për fyerje. Sipas ekspertëve, kjo e ruan të paprekur "efektin frenues" që legjislacioni penal ka mbi fjalën e lirë. Për më tepër, ky përkufizim i ngushtë lë jashtë mbrojtjes një grup të gjerë individësh që luajnë një rol jetik në debatin publik.
Bino:
Atëherë, ka pasur një proces të gjatë konsultimi, po themi është ndërtuar vitin e kaluar përmes lehtësimit të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, një platformë e dialogut për medien dhe një ndër pikat kryesore që është diskutuar, ka qenë pikërisht dekriminalizimi apo depenalizimi i plotë i shpifjes dhe i fyerjes.
Përgjatë shumë tryezave të diskutimit, edhe bazuar në analiza, në të dhëna dhe në advokim të kahershëm të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve, u duk sikur kishte një dakordësi të të gjitha palëve, përfshi edhe të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të qeverisë, parlamentit, për të realizuar këtë,këtë gjë, pra për të dekriminalizuar shpifjen dhe fyerjen, që në fakt është një detyrim që qeveria shqiptare e ka marrë edhe në udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës, që ka të bëjë me realizimin e detyrimeve të grup-kapitullit të parë të themeloreve, pra të shtetit së të drejtës.
Dhe në dhjetor të vitit të kaluar, në komisionin përkatës parlamentar që mbulon median, është bërë një tryezë diskutimi dhe zonja Tabaku që drejton këtë komision, këtë rezultat të këtij dialogu në platformë e ka kthyer në nismë ligjore dhe e ka dorëzuar në parlament dhe në parim ne jemi shprehur dakord sepse ai propozim parashikonte heqjen e nenit 120 dhe 119, pra shpifjen dhe fyerjen.
Mirëpo, në 21 janar, në komisionin e ligjeve, pamë që u miratua ose ky version u hodh poshtë dhe ndërkohë qeveria kishte një draft të ri, një tekst të ri që aty e pamë për herë të parë, që nuk kishte qenë pjesë e këtij procesi, po themi, konsultues. Ky draft nuk e realizon depenalizimin apo dekriminalizimin e plotë të shpifjes. Përkundrazi, hap disa rrugë, po themi, ose disa risqe të reja. Në dhjetor, kryeministri në fakt e kishte bërë të qartë këtë qëndrim të Partisë Socialiste ose të qeverisë, duke thënë që do ta dekriminalizonte vetëm për gazetarët.
Dhe ne jemi shprehur menjëherë duke kundërshtuar, sepse ne nuk kërkojmë që të hiqet vepra, kundravajtje penale, fyerjes dhe shpifjes nga Kodi Penal si një amnisti vetëm për gazetarët. Ne e kërkojmë atë sepse ka të bëjë me heqjen e efektit frikësues, frenues, që ka kriminalizimi, penalizimi në lirinë e shprehjes. Dhe liria e shprehjes është një e drejtë themelore e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm e gazetarëve që kryejnë një funksion në interes publik.
Dhe, ky draft parashikon pikërisht këtë, që të dekriminalizohet shpifja, pra të hiqet pjesërisht neni 120, por vetëm për ata gazetarë të cilët janë të regjistruar dhe të njohur dhe listohen edhe një sërë kriteresh të tjera. Dhe neni 119 që është fyerja nuk preket, lihet ashtu sikurse është. Pra, edhe sikur ta marrim të mirëqenë që është okay që gazetarët të jenë të regjistruar dhe të njohur, prapë nuk realizohet dekriminalizimi i shpifjes. Pra, efekti frenues që ka ekzistenca në Kodin Penal ndaj lirisë së shprehjes, sepse mbetet fyerja.
Elementi tjetër që hap rrezikshmëri është ky elementi që është i bazuar në status, pra që të jesh i regjistruar dhe i njohur, dhe jo në funksionin që kryen gazetari.
Në Shqipëri nuk ka një regjistër të gazetarëve dhe në fakt nuk duhet të ketë. Bazuar në nenin 22 të Kushtetutës, liria e shprehjes është një e drejtë themelore. Ne kemi ratifikuar dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, neni 10 i lirisë së shprehjes, dhe pra e gjithë praktika europiane natyrisht që nuk lejon ose nuk e pranon regjistrin e gazetarëve apo licensimin e tyre. Pra nuk pranon që një, ëh, po themi, strukturë administrative apo shtetërore të vendosë se kush është gazetar e kush jo, sepse lirinë e shprehjes si e drejtë themelore e kryejnë shumë individë dhe madje çdo qytetar në hapësirën publike.
Pra, në parim, ligjërisht, në themel, regjistri ose urdhëri i gazetarëve ose çdo përpjekje për ta rregulluar profesionin është në kundërshtim me praktikën europiane dhe me të drejtat e njeriut, prandaj është e papranueshme.
E dyta, edhe në qoftë se justifikohet për ata që janë të regjistruar, në kuptimin e atyre që punojnë në një media të njohur ose ata që janë regjistruar si persona fizikë, po themi, që kryejnë veprimtari ekonomike, sërish mbeten të pambuluar nga mbrojtja një grup shumë i madh që kryejnë, ata që thatë ju, një vlerë të shtuar në hapësirën publike, që mund të jenë përfaqësues të shoqërisë civile, mund të jenë akademikë, opinionistë, blogerë, mund të jenë sinjalizues, mund të jenë aktivistë, mund të jenë thjesht qytetarë, të cilët kanë të drejtën e tyre për t'u shprehur dhe duhet t'u garantohet mbrojtja sa kohë që ky është në funksion publik.
Dhe duhet të kuptojmë që ne nuk po e kërkojmë këtë gjë për të amnistuar ata që u quajtën nga përfaqësues të qeverisë si shpifës profesionistë. Ne nuk është se po themi që gazetarët apo kushdo që shprehet në hapësirën publike nuk duhet të mbajë asnjë lloj përgjegjësie.
© SYRI.net