Gjatë seancës parlamentare, deputet i PD, Tritan Shehu ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e krahasuar atë me një “sulltanat” që i trajton qytetarët si “skllevër”.
Gjatë fjalimit në Kuvend, ai denoncoi neglizhencën e qeverisë ndaj dëmeve në Qarkun e Gjirokastrës dhe gjendjen kritike të sistemit shëndetësor, duke theksuar se mazhoranca po e lë vendin në një gjendje të mjeruar, të ngjashme me periudhën osmane.
Duke iu referuar situatës pas përmbytjeve në Gjirokastër, Shehu akuzoi qeverinë për refuzimin e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Sipas tij, ky vendim ka bërë që dëmet të jenë dhjetë herë më të mëdha, me një infrastrukturë të shkatërruar dhe pa asnjë ndërhyrje për riparimin e saj.
“Qëndrimi juaj ishte krejtësisht antinjerëzor dhe cinik,” deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët dhe bizneset e prekura nuk kanë marrë asnjë kompensim. Kritikat vazhduan edhe në fushën e shëndetësisë. Deputeti vuri në dukje se propozimi i opozitës për rritjen e buxhetit të shëndetësisë nga 2.9% në 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto u refuzua, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon një minimum prej 4.5% për vende si Shqipëria.
Kjo situatë, sipas tij, i vendos shqiptarët në të njëjtin nivel me vendet afrikane, ku qytetarët detyrohen të paguajnë mbi 50% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi. Një tjetër pikë e nxehtë ishte rimbursimi i medikamenteve. Ai theksoi se në Shqipëri rimbursohet vetëm 40-45% e vlerës së ilaçeve, ndërsa standardi europian është mbi 90%. Propozimi për dyfishimin e fondit për rimbursim u rrëzua, siç u shpreh ai, “me arrogancën e sulltanit”.
Në përfundim të fjalës së tij, deputeti paralajmëroi qeverinë se durimi i popullit po mbaron. “Populli po zgjohet. Ata që ju i konsideroni skllevër, po zgjohen dhe po mbushin rrugët”, përfundoi ai, duke paralajmëruar për protesta masive dhe rrëzimin e atij që e cilësoi si “sulltanati” në pushtet.
Ku jemi sot? Dëmet janë 10 herë më të mëdhaja. Dëmtimi i infrastrukturës është shtuar më tepër dhe asgjë nuk është, nuk bëhet. Nuk bëhet asgjë, nuk vihet asnjë gurë të mbështetje. Përveç disa njerëzve me lopata që morën zallin dhe e fshinë nga rrugët. Po urat ku janë? Po rrugët e shëmbura ku janë? Po dëmet që pësojnë qytetarët, në bizneset e tyre, në shtëpitë e tyre, ku janë? Kush do t'i paguajë? Sepse ju nuk paguni, nuk pranuat as të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore. Pra ju rrëzuat në mënyrë apriori, një kërkesë krejtësisht legjitime që unë paraqita me anën e amendamentit përkatës dhe që fatkeqësisht koha tregoi shumë shpejt që ishte krejt e drejtë dhe qëndrimi juaj ishte krejtësisht antinjerëzor, anti zhvillim të atij qarku, ishte një zhvillim, një qëndrim realisht cinik.
Unë nuk e di se si mund të përgjigjeni sot. Pra atë, atë që vepruat dhe që po veproni përsëri duke mos pranuar as edhe një propozim, as edhe një kërkesë të opozitës. për të mirën e komunitetit, për të mirën e qarkut, ku secili nga ne ka në juridiksionin e tij. Gjë krejt normale kjo me çdo deputet të botës, së qytetruarit demokratike. Ju çfarë bëni? Asgjë. Fusi kokën si struci, talleni dhe qeshni, njerëzit vuajnë. Qarku i Gjirokastrës fundoset. Nuk ka asnjë infrastrukturë mbrojtëse, unë them përsëri. Rrezikohet shumë më tepër sot.
Sepse dhe ato pak infrastruktura mbrojtëse u shkatërruan në dorë, u shkatërruan tashti dhe me një, një element tjetër minimal do të jetë akoma më shumë katastrofal. Çfarë bëni? Asgjë s'po bëni. Ja pra kjo është gjendja dhe pozicioni ku jeni ju. Kolegë deputetë të mazhorancës, ku nuk guxoni, nuk guxoni as të ndryshoni një gjë të vogël në një material të qeverisë për të përmirësuar jetën e qytetarëve kudo ku janë ata në Shqipëri. Më vjen keq t'ia them këto gjëra. Më vjen shumë keq.
Kështu s'po veproni vetëm për Gjirokastrën, kështu vepruat dhe me shëndetësinë. Bëmë dy propozime në shëndetësi. Të kalojë buxheti i shëndetësisë nga 2.9% e prodhimit bruto në 3.9. Kur OBSH-ja thotë, që për vende si Shqipëria, me ekonominë shqiptare, minimalja e buxhetit për shëndetësinë duhet të jetë 4.5% e prodhimit bruto. S'pranuat asgjë. Në një kohë kur qytetarët shqiptarë paguajnë mbi 50% e shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi i tyre. Ju nuk pranuat të ule, të shkoni as në nivelin minimal që parashikon Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Dhe ju e dini që Organizata Botërore e Shëndetësisë është shumë minimaliste në kërkesat e saj për buxhetin e shëndetësisë dhe reflekton më shumë nevojat për vendet e pazhvilluara. Po Shqipëria që e ka kaq të ulët, kaq më të ulët se kërkesa minimale e OBSH-së, si ku hyn? Në vendet afrikane, qendrore. Po aty hyn, jua them unë këtë gjë. Ku qytetarët paguajnë mbi gjysmën e shpenzimeve. Ju kërkuam të dyfishoni me një amendament që ju kam bërë, financimin për rimbursimin e medikamenteve. Unë ju them që në Shqipëri, medikamentet rimbursohen në vlerën e 45%. 40-45%.
Kur në normat europiane, në vende europiane kjo nuk është nën 90%. Pra qytetarët paguajnë nga xhepi. Dhe ju talleni duke thënë se shtuam 1.2 milionë këtu. Çfarë janë? Asgjë. Nuk e pranuat këtë gjë. Nuk e pranuat këtë gjë duke ju shpjeguar qartësisht për situatën katastrofale të shpenzimeve të qytetarëve nga xhepi, qytetarëve nga xhepi. Rrëzuat dhe këtë amendament. Dhe e rrëzuat pa dhënë asnjë shpjegim, pa dhënë asnjë fjalë, thjesht me arrogancën e sulltanit, i cili i shikon qytetarët si skllevër, që sa më shumë t'i godasësh me kërbaç dhe t'i lësh pa bukë, aq më shumë do të puthin dorën. Deri diku dhe mund të keni të drejtë. Se ndodh dhe kështu. Por mos harroni një gjë, populli po zgjohet.
Njerëzit po zgjohen. Ata që konsiderohen skllevër ju po zgjohen. Ata po mbushin rrugët dhe bulevardet. Ata kanë filluar protesta të fuqishme. Të cilat çojnë në përfundimin dhe në rrëzimin e sulltanateve. Sepse ju jeni vetëm një sulltanat, asgjë më shumë. Ashtu si e la sulltani Shqipërinë në atë gjendje mjerane për 400 vjet, ashtu po e lini dhe ju sot. Pra, kjo është e vërteta. Dhe do të merrni përgjigjen siç e morën sulltanët. Edhe ju këtu. Në këtë vend. Nga këta njerëz. Që tashmë po zgjohen, po lëvizin, kanë kuptuar, po i dhemb kurrizi nga kërbaçi juaj, dhe absolutisht janë bërë koshientë të domosdoshmërisë së ballafaqimit me këtë sulltanat që keni ndërtuar në Shqipëri. Faleminderit.
© SYRI.net