Gjykata nuk lejon kamerat në seancën për dosjen ‘Partizani’, Gjinaj: Ja pse u mor vendimi

11:51, 26/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur shqyrtimin në themel të dosjes “Partizani”, por ka marrë një vendim të prerë për të zhvilluar seancat me dyer të mbyllura, duke ndaluar praninë e mediave dhe transmetimin e drejtpërdrejtë.

Në seancën ku i pranishëm ishte Jamarbër Malltezi, së bashku me avokatët mbrojtës, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri rrëzoi kërkesën e mediave dhe të vetë palëve në proces për të lejuar praninë e kamerave në sallë.

Sipas arsyetimit të gjykatës, shpjegon gazetari I Syri tv Fatjon Gjinaj, vendimi u mor për të mbrojtur integritetin e procesit gjyqësor. Prania e kamerave dhe transmetimi i drejtpërdrejtë, sipas trupës gjykuese, mund të ndikonte te numri i lartë i dëshmitarëve që pritet të thirren për t'u pyetur. Gjithashtu, u vlerësua se transmetimi “live” mund të krijonte një debat publik që do të cenonte ecurinë e paanshme të gjyqit. Edhe kërkesa specifike e Malltezit për të lejuar mediat vetëm gjatë leximit të një deklarate të përgatitur prej tij u refuzua, me argumentin se vendimi vlente për të gjithë procesin.

Pasi kamerat u larguan nga salla, mbrojtja nisi paraqitjen e kundërshtimeve mbi provat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në një proces që pritet të jetë i gjatë për shkak të materialit voluminoz.

Në deklaratën që Malltezi synonte ta bënte publike, ngriheshin akuza të forta se i gjithë procesi penal është i motivuar politikisht. Ai pretendon se kallëzimi është iniciuar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili, sipas Malltezit, ka përdorur funksionin e tij për të siguruar dokumente mbi jetën personale të tij përmes autoriteteve shtetërore, duke e bazuar gjithë çështjen mbi “shpifje”.

Më tej, në parashtrimet e përgatitura, hidheshin dyshime edhe mbi njërin prej hetuesve të çështjes, i cili thuhet se është fotografuar me Ulsi Manjën, kryetarin e Komisionit të Ligjeve. Ky hetues përshkruhet si një “militant i Partisë Socialiste” i angazhuar për të dëmtuar opozitën dhe drejtuesit e saj përmes hetimeve të kryera si oficer i policisë gjyqësore.

Seanca vazhdon të zhvillohet larg vëmendjes së publikut, ndërsa avokatët mbrojtës po paraqesin argumentet e tyre kundër provave të SPAK.

Fatajon Gjinaj: Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka nisur shqyrtimi në themel për dosjen Partizani, ku i pranishëm ka qenë edhe Jamarbër Malltezi si dhe avokatët e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në nisje të seancës pati prezencë të gazetarëve por edhe të operatorëve, me kamerat e tyre, disa media që kishin bërë kërkesë për të ndjekur nga afër këtë shqyrtim gjyqësor dhe gjyqtarja Elsa Ulliri, që kryeson trupën gjykuese prej tre anëtarësh, dyshja tjetër Bib Ndreca dhe Rudina Palloi, rrëzuan kërkesën e mediave por edhe të palëve në proces, përkatësisht Jamarbër Malltezit, për të patur prezencë të operatorëve në mënyrë që të transmetonin live edhe zhvillimet e kësaj seance. Por jo vetëm live, nuk u lejua as regjistrimi i seancës përveç deri në momentin kur u shpall vendimi.

Malltezi kërkoi në këto kushte gjykatës që t'i pranohej të paktën kërkesa e tij që të ishte media e pranishme vetëm gjatë leximit të një deklarate që kishte për të bërë, por gjykata u shpreh se vendimi është marrë për të gjitha kërkesat që kishin për objekt kërkesën e mediave dhe palëve. Vendimi merret edhe në bazë të kërkesës që kishit në seancën e kaluar, iu drejtua Ulliri Jamarbër Malltezit. Gjykata e mori këtë vendim dhe ka vlerë për të gjithë procesin gjyqësor. Sipas arsyetimit të kryesueses së trupës prej tre anëtarëve, mund shkak për marrjen e një vendimi të tillë ka të bëjë me mundësinë e cënimit të ecurisë së procesit, prania e kamerave dhe transmetimi live mund të ndikojë tek dëshmitarët, që janë një numër i lartë personash që janë kërkuar të pyeten. Transmetimi live i seancave mund të krijojë debat publik që mund të ndikojë në proces, tha kryesuesja e seancës Elsa Ulliri. E në këto kushte, pasi shpalli këtë vendim ditën e sotme, u kërkua largimi i kamerave nga salla dhe vijimi i punimeve të zakonshme, shqyrtimit gjyqësor, që aktualisht janë duke bërë kundërshtimet e tyre mbi provat e SPAK avokatët e Jamarbër Malltezit, përmes një përgatitje voluminoze me çfarë kemi konstatuar deri tani, që nënkupton dhe me shumë gjasë procesi pritet të jetë tepër i gjatë.

Ndërkohë që në pjesën dërmuese të parashtrimeve që kishte përgatitur Jamarbër Malltezi për t'i bërë edhe mediatike kishte të bënte me mënyrën se si ka nisur ky procedim penal brenda ditës në kohën e kallëzimit të depozituar nga Taulant Balla. Vetë ky i fundit ka përdorur funksionin si kreu i grupit parlamentar për të marrë dokumentacionin mbi edhe jetën personale të një subjekti, në rastin konkret Jamarbër Malltezit, pretendonte ky i fundit, përmes autoriteteve shtetërore për të përgatitur kallëzimin penal ndaj tij. E pavarësisht se gjithçka është e bazuar mbi shpifje, pretendon Malltezi në parashtrimet që ka përgatitur e që donte t'i lexonte në fakt edhe në prezencë të mediave. SPAK regjistroi procedimin penal dhe nisi hetimet për të arritur edhe në fazën e e komunikimit të akuzave. Një nga subjektet i cili është angazhuar për hetimet e kësaj dosje, është një subjekt i parë dhe i fotografuar me Ulsi Manjën, ish-ministrin e Drejtësisë, aktualisht kryetar i komisionit të ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë, dhe shfaqet si një militant i Partisë Socialiste, i gatshëm në një tjetër angazhim, këtë radhë për të dëmtuar opozitën, drejtuesin e saj dhe zotin Malltezi, përmes hetimeve që ai ka kryer në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco