SYRI TV/ Protesta në Tiranë - ‘SafeJournalists’ dhe AGSH: U cënua siguria e gazetarëve nga gazi lotsjellës

15:14, 25/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Organizatat në mbrojtje të gazetarëve dhe punonjësve të medias kanë reaguar në lidhje me situatën e krijuar gjatë protestës së opozitës, ku përdorimi masiv i gazit lotsjellës nga ana e policisë, vuri në rrezik serioz shëndetin dhe sigurinë e tyre. ‘SafeJournalists’ dhe Asosacioni i gazetarëve të Shqipërisë kanë pohuar se punonjës të medias kanë pësuar lëndime të rënda si pasojë e gazit dhe ujit me presion të përdorur nga policia. Këto organizata bëjnë me dije gjithashtu se gazetarët janë trajtuar si protestues nga policia

Syri tv

Gazi lotsjellës dhe uji i përdorur në mënyrë masive nga policia për shpërndarjen e protestueseve, nuk ka kursyer as gazetarët dhe gjithë punonjësit e medias, të cilët po raportonin protestën e opozitës. Gjatë këtyre veprimeve, një numër i konsiderueshëm punonjësish të medias u ekspozuan drejtpërdrejt ndaj gazit dhe ujit, duke u vënë në rrezik serioz shëndetin dhe sigurinë e tyre. Në lidhje me këtë fakt, kanë reaguar edhe organizatat në mbrojtje të punonjësve të medias, duke shprehur shqetësim serioz për sigurinë dhe kushtet në të cilat kanë raportuar gazetarët gjatë kësaj protestes. Rrjeti ‘SafeJournalists’, që përfaqëson profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, ka reaguar ndaj situatës së krijuar nga ana e policisë së shtetit kundrejt raportuesve të medias. Sipas tyre, goditja me ujë me presion apo gaz lotsjellës në zonat ku janë të pozicionuara mediat përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimit për mbrojtjen e gazetarëve gjatë ushtrimit të misionit të tyre

Të shqetësuar nga raportimet nga Tirana lidhur me gazetarët dhe operatorët e lënduar nga përdorimi i gazit lotsjellës gjatë mbulimit të protestës. Goditja në zonat ku janë të pozicionuara mediat përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimit për mbrojtjen e gazetarëve gjatë ushtrimit të misionit të tyre dhe të lirisë së medias.

Ndërkohë në lidhje me këtë situatë, ka reaguar edhe Asosacioni i gazetarëve të Shqipërisë, duke theksuar rrezikon që iu kanosë punonjësve të medias gjatë kësaj proteste

Policia e Shtetit përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve. Gjatë këtyre veprimeve, një numër i konsiderueshëm punonjësish të medias u ekspozuan drejtpërdrejt ndaj gazit dhe ujit, duke u vënë në rrezik serioz shëndetin dhe sigurinë e tyre. Punonjësit e medias ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës, për të informuar publikun, dhe jo si palë në konflikt.

Gjithashtu kjo organizatë i ka bërë thirrje policisë së shtetit që të shmang përdorimin e forcës kundrejt gazetarëve, ndërsa kërkon sqarim edhe për përdorimin e gazit lotsjellës, veçanërisht gazin e skaduar

Policia e Shtetit duhet të tregojë kujdes të shtuar ndaj punonjësve të medias, duke respektuar rolin e tyre publik, duke mos i trajtuar si protestues dhe duke shmangur përdorimin e forcës apo mjeteve shpërndarëse në zonat ku qëndrojnë gazetarët. Po ashtu, kërkojmë sqarim të menjëhershëm dhe transparent nga autoritetet për përdorimin e gazit lotsjellës, veçanërisht gazin i skaduar.

Organizatat në mbrojtje të punonjësve të mediat, pohojnë se mbrojtja e gazetarëve në terren nuk është favor, por detyrim institucional. Siguria e medias sipas tyre është kusht thelbësor për një shoqëri demokratike dhe për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco