Pak orë pas protestës masive të opozitës, fakte dhe dëshmi të reja dalin në dritë sa i përket dhunës dhe brutalitetit të policisë kundër qytetarëve. Dhuna dhe gazi lotsjellës i hedhur nga policia, për më tepër I skaduar, nuk kurseu as gazetarët ndërkohë që një i ri nga Berati ka rrëfyer dhunën e ushtruar nga uniformat blu ndaj tij. Nga ana tjetër policia ka vijuar sjelljen represive ndaj protestuesve të opozitës duke arrestuar 18 prej tyre, 2 janë në kërkim dhe 17 të tjerë nën procedim. Policia ka nisur hetimet edhe për 3 deputetë të opozitës.
Syri tv
Disa orë pas protestës masive të opozitës, ku mijëra qytetarë mbushën bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, fakte dhe dëshmi të reja dalin në dritë sa i përket dhunës dhe brutalitetit policor me të cilën janë përballur protestuesit. Tërësisht në mënyrë skandaloze dhe të paprovokuar, policia sulmoi protestuesit me hedhjen masive të gazit lotsjellës dhe ujit me piper, duke lënë të lënduar shumë protestues, duke mos kursyer madje as punonjësit e medias. Mes të lënduarve është edhe fotoreporteri i SYRI Tv, Felix Bilani
Pre e dhunës së ushtruar nga forcat e rendit kanë rënë edhe shumë qytetarë, siç është edhe rasti i një të riu nga Berati. Rexhino Pepaj ka dëshmuar se ai u mor zvarrë nga policia, u dhunua brenda në furgon por gjithashtu edhe në ambientet e Komisariatit Nr.1 Tiranë, ku u mbajt për 4-orë. 34-vjeçari ka pohuar se gjatë protestës policia i hodhi gaz lotsjellës dhe ujë me piper në sy dhe ai ra në tokë. Qytetari shton se policia e liroi vetëm për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ndërsa pas largimit nga komisariati nr.1 shokët e tij e transportuan menjëherë drejt spitalit te Beratit. Dhunën që ka pësuar 34-vjeçari, e ka denoncuar nga ambientet e Urgjencës së Spitalit Rajonal Berat edhe kryetari i Partisë Demokratike të degës së Beratit, Kasion Hasimetaj.
Dhunë është ushtruar edhe nga policë civil, siç është ky rast ndaj një të riu, i cili ndoshta as nuk kishte lidhje fare me protestën
Përveç hedhjes në mënyrë masive dhe joproporcional të gazit lotsjellës, syri tv siguroi prova se ky i fundit ishte madje i skaduar që prej korrikut 2023, cka sipas eksperteve mund te shkaktoje pasoja edhe më të rënda ndaj qytetarëve.
Nga ana tjetër policia ka vijuar sjelljen represive ndaj protestuesve të opozitës. Në një deklaratë të shpërndarë këtë të dielë, policia ka njoftuar se 37 persona në total janë nën akuzë. Nga këta janë arrestuar 18 qytetarë, 2 janë në kërkim dhe 17 të tjerë nën procedim. Pavarësisht se edhe deputetët e opozitës, ranë pre e dhunës dhe gazit lotsjellës, policia ka vendosur nën hetim 3 deputetë të opozitës, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu. Gjithashtu nën procedim është edhe Sekretari Organizativ i PD-së, Ervin Minarolli.

© SYRI.net