Qeveria, makineri grabitjeje! Lela: Protesta e nesërme, kundër grushtit të shtetit dhe korrupsionit

21:02, 23/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të Syri TV, Alfred Lela, Drejtor i Komunikimit në Partinë Demokratike, tha se qytetarët duhet të dalin nesër në protestë për të kundërshtuar një “grusht shteti” institucional.

Ai përmendi rastin e Belinda Balluku, e mbrojtur nga kryeministri Rama, si maja e një piramide skandalesh dhe korrupsioni që, sipas opozitës, ka shndërruar qeverisjen në një makineri të pandëshkueshme.

Për gazetaren Armela Ferko, Lela paralajmëroi se shkalla e zhvatjes dhe keqmenaxhimit ka arritur nivelin e “tradhtisë kombëtare” dhe se protestat janë domosdoshmëri për të treguar pakënaqësinë qytetare, edhe përballë emigracionit dhe presionit të makinës represive shtetërore.

Pjesë nga intervista:

Lista është shumë e gjatë për shumë gjëra, të cilat shihen çdo ditë dhe interpretohen çdo ditë, por aktet më të fundit janë ato që fare mirë mund të konsiderohen si grusht, si grusht shteti. Tentacioni për ta bërë këtë grusht, këtë grusht shteti, nga ekzekutivi në bashkëpunim me parlamentin dhe me segmente të gjykatave, ekziston. Dhe e kam fjalën për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila mbrohet nga kryeministri Edi Rama, nën frikën se ikja e saj do të marrë me vete edhe vetë zotin Rama.

Kjo është vetëm ngjarja e fundit në një mori, në një kapicë, në një piramidë skandalesh, të cilat nuk janë vetëm në ligjërimin dhe retorikën e opozitës; i ke në shtatë rezoluta ndërkombëtare, i ke në tituj mediash të mëdha që nga Amerika deri në Evropën veriore e poshtë në jug, apo në Ballkan. Pra, seria e skandaleve, e shkeljeve, e zhvatjes dhe e grabitjeve të qeverisë është e tillë sa e bën të pamundur, si mos thirrjen e protestës, ashtu edhe mosdaljen në protestë. Ka shumë gjëra, nuk e di, ndoshta edhe ky 15 minutëshi që kemi në dispozicion nuk do të mjaftonte për të ezauruar dhe për të shpalosur të gjithë atë repertor, por sigurisht ju, me të ftuar të tjerë, dhe mediat e tjera, të cilat nuk emetojnë valë për t'i bërë fresk qeverisë, i kanë thënë dhe do vazhdojnë t'i thonë.

Shiko, Partia Demokratike, unë do mendoja, pa, sigurisht duke zbritur konfliktin e interesit këtu, se e ka bërë detyrën, e ka bërë detyrën e saj. Dhe dua të ndalemi tek rasti i fundit: gjyqtarja Irena Gjoka Maneku, me tre apo më shumë mbiemra. Ka qenë Partia Demokratike, ka qenë kryetari i saj që e ka denoncuar dhe e ka bërë publik i pari këtë fakt. Ju e mbani mend shumë mirë dhe të gjithë ata që duan ta mbajnë mend reagimin e një pjese të mirë të mediave dhe të analizave, të lidhura me qeverinë: pak për qeshje, pak nën qeshje, pak mosbesim, pak të quajturën hiperbolë. Dhe ja ku jemi sot: Prokuroria e Përgjithshme ka thënë dhe ka vulosur atë që Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike e kanë thënë prej kohësh.

Po të kalojmë tek Gjykata Kushtetuese, tek vendimi më i fundit për liderin e opozitës, Sali Berisha: 333 ditë të gjata – verë, dimër, pranverë, vjeshtë – të kaluara në izolim me një qëllim të vetëm: pengimin e liderit të opozitës dhe të kapaciteteve opozitare për të qenë në fushatë, për të bërë fushatë, për ta shpalosur programin dhe për të qenë funksional dhe efektiv në përballjen politike. Deputetët e Partisë Demokratike e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo e rrëzoi. E njëjta gjykatë erdhi më vonë dhe tha se kishte pasur paligjshmëri.

Këto raste i solla për të ilustruar pozicionin e të përndjekurve që kanë patur Partia Demokratike, kryetari i saj dhe opozitarët në përgjithësi. Këto janë vetëm dy prej elementëve; mund të shkojmë tek vula, simboli, “non grata” dhe gjithë ajo vijë doloroze ku ka kaluar Partia Demokratike dhe Sali Berisha. I solla këto raste për të thënë që kjo nuk ka qenë një opozitë e pasive, pasi shpesh dëgjoj njerëz të të gjithë krahëve që i kërkojnë Partisë Demokratike të sillet si në kushtet daneze. Jo, kushtet kanë qenë bjelloruse, ruse, jo daneze në disa raste, dhe nuk po mjafton në disa raste të tjera. Kjo pamjaftueshmëri e opozitës lidhet edhe me pengesat e krijuara nga sistemi kundër saj, një sistem i ngritur mbi miliona, qindra miliona euro, me një fuqi financiare të pamasë.

Shiko, angazhimi qytetar, për mua, pavarësisht çfarë thuhet dhe si thuhet, si fotografohet, si vihet droni, në cilën minutë apo orë, ka qenë i rëndësishëm. Protestat e opozitës kanë qenë masive dhe të kënaqshme. Edhe ajo e fundit e 22 dhjetorit, dhe edhe ajo e nesërmja, unë mendoj se do të jetë më e madhe, më e plotë, më masive dhe më kreative. Ka një përllogaritje me një hile kur flitet për protestat e opozitës dhe për pamjaftueshmërinë e tyre, dhe nganjëherë i krahasojnë me Greqinë, Rumaninë apo Bullgarinë, si raport popullsie. Por duhet të kemi parasysh popullsinë e Shqipërisë dhe 1.1 milionë shqiptarët që kanë ikur në dekadën e fundit. Në këtë kontekst, pjesëmarrja dhe angazhimi i opozitës, edhe ndaj makinës represive shtetërore që gjurmon, heq nga puna, persekuton dhe filmon, ka qenë masiv, i fuqishëm dhe i mirë.

Sigurisht, mund të pyetet: a kërkohet më shumë, a mund të bëhet më shumë? Por shkalla e skandaleve, e zhvatjes, e korrupsionit, e keqmenaxhimit, e papërgjegjshmërisë dhe madje edhe e tradhtisë kombëtare është e tillë sa kërkon reagim maksimal. Vjedhja e shtëpisë tënde nga qeveria, ministrat dhe kryeministri është, në fakt, tradhti kombëtare. Më kujtohet këtu një slogan i Kosovës: “Nuk bën me e vjedhë shtëpinë tënde”, i Vetëvendosjes. Në këto kushte, angazhimi duhet të jetë edhe më i madh, edhe më i fuqishëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco