'Kjo qeveri po shkatërron të ardhmen e rinisë', Kaso: Korça kryeson me shpopullimin më të lartë si shkak i politikave të dështuara

09:58, 23/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka komentuar situatën alarmante të shpopullimit të vendit dhe pasojat e saj të rënda për të rinjtë shqiptarë.

Sipas Kasos, qeveria e aktuale është përgjegjëse për rënien dramatike të popullsisë, veçanërisht në zonat rurale, duke theksuar se ky fenomen është një pasojë direkte e politikave të dështuara që kanë krijuar kushte të pamjaftueshme për të rinjtë që të qëndrojnë dhe zhvillohen në vendin e tyre.

"Shpopullimi i vendit është një plagë e thellë që po e dëmton të ardhmen e Shqipërisë. Nuk është thjesht një çështje numrash, por një krizë e besimit te të rinjtë, që po e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë.

"Kjo qeveri nuk ka pasur asnjë plan konkret për të ofruar mundësi reale për rininë, dhe rezultatet janë përpara syve tanë. Të rinjtë po ikin, ata po humbasin besimin se ky vend mund të ofrojë një të ardhme të mirë"-tha Kaso.

Sipas deputetit, ky fenomen është i pranishëm edhe në qarkun e Korçës, ku shpopullimi ka arritur nivele alarmante.

Ai theksoi se është e papranueshme që një qark me potencial të tillë të përballet me rënien e popullsisë dhe migrimin masiv të të rinjve.

"Korça është një nga qarku që po përjeton shpopullimin më të madh dhe kjo është pasojë e paaftësisë së qeverisë për të krijuar kushte për zhvillim dhe mundësi punësimi," shtoi deputeti.

Deklarata në studio:

"Nëse flasim për plagën e shpopullimit, të cilin shumë herë e kemi ngritur si problematik jo vetëm në qarkun e Korçës, por për të gjitha zonat rurale, mund të themi se ky është një proces që ka pasoja të thella.

Ka projekte që synojnë të krijojnë mundësi për rinovim ose një ambient ku të rinjtë të gjejnë veten. Kushdo që ka iniciativë, qoftë për biznese apo ndërmarrje të tjera, mund të shfrytëzojë këtë besim të rinjve që diçka po ndryshon në vendin e tyre.

Ky është një proces që nuk ka të bëjë vetëm me aspekte ekonomike dhe penale, por mbi të gjitha me vrasjen e besimit dhe shpresës te ata njerëz që thonë "Ky vend nuk do bëhet kurrë", dhe kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre diku tjetër.

Kujdesi ynë ka qenë që jo vetëm gjatë fushatës elektorale, ku përmes programit tonë adresuam një masë, një ofertë të qëndrueshme për ata të rinjtë që synojnë që me mundin dhe angazhimin e tyre, të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, por gjithashtu e kemi ngritur këtë çështje më parë. Inflitrimi dhe shfrytëzimi i të gjitha resurseve nga kjo qeveri ka bërë të pamundur konkretizimin e këtyre mundësive për rininë në Shqipëri.

Kjo situatë nuk na bën mirë. Përkundrazi, na bën të vendosur që të denoncojmë të gjitha këto skandale. Për fat të keq, nëse situata do të ishte ndryshe, Korça nuk do të kishte shpopullimin më të madh në numër.

Korça ishte i vetmi qark që numri i deputetëve të ra dhe ishte një qark që kishte pasur numrin më të madh të shpopullimit të popullsisë.

Sigurisht, përcaktimi i deputetëve varet nga numri i popullsisë së regjistruar, dhe Korça ishte qarku që kishte regjistruar numrin më të madh të shpopullimit të popullsisë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco