Marrëveshja për Bordin e Paqes/ Abilekaj: S'ka transparencë, ja pse Rama këmbënguli të identifikohet me emrin e tij

21:28, 22/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin "Çim Peka Live", gazetari Enton Abilekaj theksoi se Shqipëria është viktimë e një "shantazhi institucional", duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për veprime që i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit.

Abilekaj theksoi se Rama ka lidhur emrin e tij me një proces që duhet të jetë institucional, duke e personalizuar atë në një mënyrë që është e papranueshme për një shtet demokratik.

Gazetari e cilësoi këtë si një akt shantazhi të drejtpërdrejtë, ku vendimet dhe përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare varen nga pozita e një individi dhe jo nga institucioni që ai përfaqëson. Abilekaj theksoi se ky veprim i kryeministrit është një cenim i serioz i interesave kombëtare dhe një shenjë e një abuzimi të pushtetit.

Pjesë nga deklarata:

Përsa i përket marrëdhënieve shtetërore, ne po flasim për atë që ka Shqipëria sot me SHBA-në dhe sa ndikon marrëdhënia personale e një kryeministri me presidentin e SHBA-së, ose me sekretarin e shtetit, siç mund të jetë rasti. Mendoj se ne sot jemi i vetmi vend nga të gjithë ata që kanë firmosur, që nuk dihet akoma nëse janë tamam-tamam anëtarë të Bordit të Paqes, ku ka një përfaqësues të veçantë. Ky është një lloj shantazhi për mua. Pra, Shqipëria i thotë Shteteve të Bashkuara se do të jetë në Bordin e Paqes vetëm nëse na përfaqëson Edi Rama. Nëse Edi Rama nuk na përfaqëson, nuk jemi në Bordin e Paqes. Dhe ky është një lloj shantazhi që Shqipëria i bën SHBA-ve, është e... për mua është e papranueshme. Institucionalisht, prapë, s’ka rëndësi kush është emri aty, edhe Bego të ishte, çfarë është ai që bën si president. Për mua çdo njeri që do të ishte me emër të përveçëm do të ishte gabim. Dhe ne kemi miratuar sot në parlament një gabim të rëndë që mund të interpretohet edhe si shantazh. Dhe unë e interpretoj si shantazh.

Një. E dyta është që Edi Rama na thoshte katër ditë rresht, pesë ditë rresht, se unë jam ftuar personalisht në këtë forum. Do të shkoj, jam anëtar themelues. Shqipëria është anëtar themelues. Anëtarët themelues firmosën sot. Nëse ai e ka lënë detyrën si anëtar themelues, që është detyrë historike sipas Ramës, pavarësisht se çfarë mendojmë ne, s’ka rëndësi... është detyrë historike sipas Ramës për të qenë anëtar themelues i këtij bordi, e ka lënë detyrën historike kombëtare për një takim privat me vajzën e presidentit, me këdo qoftë, atëherë ai ka refuzuar detyrën. Dhe duhet të japë shpjegime pse e refuzoi detyrën. Çfarë e detyroi ta refuzonte?

Ai është kryeministri i Shqipërisë, o vëlla, nuk është Edi Rama që bën çfarë i do qejfi. Kështu që këto dy janë, mendoj unë, gjërat ku duhet të fokusohemi. E para, pse Shqipëria nuk ishte sot anëtare themeluese, që është më kryesorja. Dhe e dyta është pse Shqipëria është i vetmi vend nga ata që e kanë pranuar që i ka vënë kusht Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përfaqësuesi jonë duhet të jetë vetëm Edi Rama. Nëse Edi Rama nuk është më, vendos nesër të mos jetë kryeministër, jep dorëheqjen, ne nuk jemi as anëtar të Bordit të Paqes. Nëse Edi Rama sëmuret dhe ka një takim Bordi i Paqes, ne nuk përfaqësohemi dot në Bordin e Paqes. Ky është problem për ne, për mua. Pastaj, u takua me Ivankën, çfarë marrëdhëniesh kanë familjare, personale, këto të tjera, këto reflektohen të gjitha në marrëdhënie shtetërore. Nëse këto nuk reflektohen dot në marrëdhënie shtetërore, nëse këto nuk na ndihmojnë ne si shtet për të pasur akses në Washington, çfarë më duhet mua se Edi Rama ka marrëdhënie të mira apo të këqija me Trumpin? Ai mund të ketë marrëdhënie shumë të këqija me familjen Trump, por marrëdhënie shtetërore të ketë marrëdhënie shumë të mira. Atëherë s’ka asnjë problem.

Ne jemi Shqipëria sot që themi... e tha edhe opozita dhe e pranoi, që në çështje të sigurisë, Shqipëria zgjedh gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë unë jam dakord, pavarësisht skepticizmit që kam për të gjitha gjërat që bëmë. Pavarësisht diskutimit që mendoj se duhet të ishte shumë më i gjatë, dhe pret çështja se nuk ishte çështje urgjente, dhe në vetë statutin e Bordit të Paqes thuhej që vendet, kur të jenë, nëse s’firmosin sot, do të presin deri në një moment tjetër. Dhe ne mund të prisnim deri në një moment tjetër, sepse nuk jemi vend aq i madh sa të marrim vendime të menjëhershme. Nuk jemi vend aq i pjekur me aq ekspertë sa të marrim vendime të menjëhershme. Ekspertë shëndetësorë, se ekspertët i kemi rrugëve. Mund t’i mblidhnim të gjithë njerëzit, mund të diskutonim, ta bënim diskutim kombëtar, ta bënim diskutim të gjatë, diskutonim dhe me BE-në madje dhe mund të mos merrnim vendim siç na sugjeronte BE-ja, por ta diskutonim dhe ta merrnim këtë vendim pas një muaji. Të firmoste njëherë Rama dhe të rrezikonim marrëveshjen, mos të firmosim kot një statut dhe të themi u bëmë anëtarë. Të bëhet siç bëhet një shtet.

Ne çfarë bëmë sot? Ne bëmë një gjë për të qeshur, që është për të qeshur në të gjitha gjërat. Edhe për shantazhin që i bën Shteteve të Bashkuara që thotë do vihet vetëm Edi Rama, edhe sepse ne nuk kemi ndonjë marrëveshje të shkruar që parlamenti duhet ta votojë. Sepse po të kishim marrëveshje të shkruar do të ishte edhe emri i Edi Ramës mbi të gjitha. Pra, ne nuk kemi as transparencë, asgjë, dhe kemi... sot nuk jemi as vend themelues, siç na thanë, por kemi një dokument të firmosur që ka vlerë vetëm për Edi Ramën, që ai do na përfaqësojë ne në Bordin e Paqes. Nëse s’ju pëlqen ai, ne nuk jemi. Këtë e ka votuar dhe opozita për fat të keq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco