I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, Avokati Marash Logu analizoi qëndrimin e SPAK dhe GJKKO në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut, duke theksuar se këto institucione konfirmuan angazhimin e ministres për të shkatërruar provat dhe intimiduar dëshmitarët, veprime që Logu i cilësoi si abuzime të drejtpërdrejta që pengojnë drejtësinë.
Në lidhje me ndërhyrjen e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Logu e quajti atë "avokat të Belinda Ballukut" dhe e akuzoi për abuzim të kompetencave kushtetuese. Ai tha se një President që mbështet një ministër të akuzuar për shkelje të tilla është duke përdorur pushtetin për interesa të tjera politike dhe personale.
Logu shtoi se Presidenti duhet të mbetet neutral dhe të mbështesë sistemin e drejtësisë, jo të përfshihet në mbrojtjen e individëve të përfshirë në akuzat për shkelje të ligjit.
Pjesë nga deklarata:
Qëndrimi që mbajti SPAK, që konfirmon dhe qëndrimet e mëparshme, ka të bëjë me qëndrimin që, në mëngjes, iu bë i ditur Gjykatës së Posaçme, e cila konfirmoi tre gjëra të rëndësishme.
Së pari, arsyeja e vendosjes së masës ndaj Belinda Ballukut ka të bëjë me faktin që është e provuar tashmë angazhimi i saj për të prishur provat dhe për të intimiduar dëshmitarët që janë pjesë e dosjes hetimore.
Së dyti, është fakti që qëndrimi që ka mbajtur SPAK dhe GJKKO është se Gjykata Kushtetuese nuk mund të fillojë apo të vazhdojë shqyrtimin e çështjes përderisa Belinda Balluku dhe mbrojtja e saj nuk kanë shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, siç është e drejta e çdo qytetari kur përballet me një proces penal.
Elementi i tretë ishte se Gjykata e Posaçme, ashtu si dhe Prokuroria e Posaçme, konfirmuan se në fakt nuk ekziston një konflikt kompetencash ndërmjet Kryeministrit, nga njëra anë, dhe Gjykatës dhe Prokurorisë, sepse Kryeministri nuk ka të drejtën të pezullojë një anëtar të Qeverisë. Kështu, nuk mund të mendohet se ka një konflikt kompetencash. Pra, SPAK dhe GJKKO kanë marrë kompetencë nga Kryeministri, kur ai nuk ka një kompetencë të tillë.
Ajo që pamë me sjelljen e Presidentit të Republikës ishte një shembull i abuzimit me kompetencat që i ka dhënë ligji dhe Kushtetuta. Përfaqësuesi i Parlamentit ishte në mbështetje të përfaqësuesve të Kryeministrit, por në fakt ai ishte shprehja e qëndrimit personal të tij ose të Nikollë Peleshi-t. Po ashtu, qëndrimi i përfaqësuesve të Presidentit të Republikës ishte një kundërshtim ndaj sistemit të drejtësisë, si ndaj SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. Ndërkohë, Presidenti i Republikës, që supozohet të jetë kreu i shtetit, duhet të jetë neutral dhe jo politik. Sot pamë një president që u shndërrua në avokatin e Belinda Ballukut.
© SYRI.net