Nga Petrit Vasili
E gjithë historia butaforike e ftesës së Ramës për në Bordin e Paqes ishte shfaqja më tragjikomike e pasigurisë dhe frikës së Ramës prej dosjeve shumë të rënda të korrupsionit.
Diskutimi në Kuvend për ratifikimin e një marrëveshjeje të pa firmosur nga vetë Rama e bën akoma më qesharake situatën dhe aq më të baltosur rilindasit në Parlament.
Dosjet e korrupsionit janë të mbushura deri në grykë me mijëra e mijëra dokumente, fakte e prova që nuk u bën derman as ftesat për bordin dhe as gjë prej gjëje.
Miliarda euro të plaçkitura nga Rama dhe të tijtë nuk ka ftesë që i amniston dhe i fal.
Tashmë letrat janë hapur.
Rama është në hall shumë të madh që detyrohet të bëjë një propagandë të tillë prej budallai, sepse kushdo e kupton që prokurorëve në SPAK nuk mund t’u thotë dot: që unë dhe qeveria vodhëm miliarda, por tani unë kam marrë ftesë për Bordin e Paqes.
Historia e ftesës së Ramës e ka katandisur atë në një struc që ka mbuluar fytyrën, por nga prapa është krejt lakuriq.
Dosjet janë të panumërta dhe, për fatin e mirë të shqiptarëve, dokumentet, provat dhe faktet nuk i ka në dorë vetëm SPAK-u, por i ka edhe media e opozita.
Ndaj çdo iluzion i Ramës që t’u bishtnojë atyre është i kotë, sikur të takojë edhe Trumpin, Putinin dhe Xi Jinpingun së bashku.
Kështu, asnjë shqiptar nuk duhet të impresionohet nga teneqet e llamarinat zhurmuese propagandistike të hajdutëve në pushtet, që janë në vetvete veçse ulërima, qarje e vaj për ndëshkimin e pashmangshëm që i pret për miliardat e vjedhura.
Ndaj, Ramë, mblidhet mendjen: me bord pa bord, me ftesë pa ftesë, dosjet e plaçkitjes tënde janë dhe mbeten në mes!
© SYRI.net