Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se skandali i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka marrë përmasa të rënda dhe tashmë po kundërmon në të gjithë Europën, duke u kthyer në një çështje shqetësimi serioz për sigurinë rajonale dhe atë euroatlantike.
Në deklaratat e tij, Berisha theksoi se kjo aferë është duke u diskutuar gjerësisht në kancelaritë europiane, ku sipas tij nuk flitet për asgjë tjetër veçse për implikimet e rënda të skandalit të AKSHI-t.
Sipas liderit të opozitës, Rama ka përdorur AKSHI-n si një mekanizëm për përgjimin dhe kontrollin masiv, jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe të shtetasve të huaj që ndodhen në Shqipëri.
Berisha akuzoi se përmes kësaj strukture janë nxjerrë dhe eksportuar të dhëna sekrete shtetërore, përfshirë informacione të ndjeshme që lidhen edhe me Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), të cilat, sipas tij, kanë përfunduar në duart e organizatave kriminale dhe armiqve të aleancës.
Deklarata e plotë:
Situata është edhe më dramatike dhe po kundërmon në mbarë Europën.
Në kancelaritë evropiane nuk flitet për gjë tjetër veçse për AKSHI-n.
Dy arsye.
Edi Rama ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm çdo qytetar shqiptar, por edhe çdo të huaj në Shqipëri.
Nga AKSHI janë eksportuar të gjithë të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të aleancës së Atlantikut të Veriut, tek organizatat kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo përbën një dhunim të madh të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe Europën.
Por AKSHI është një monedhë me dy faqe.
Në njërën anë është Linda e AKSHI-t, në anën tjetër është Linda e Surrelit.
Dhe kjo e trondit Edi Ramën.
Kjo e shkatërron Edi Ramën.
© SYRI.net