Nga SYRI TV
Sesioni i ri parlamentar nisi me tensione dhe përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend. Që në fjalën hapëse, deputetët e opozitës rrethuan foltoren e parlamentit, duke kërkuar dorëzimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku para drejtësisë, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me tendera.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, së bashku me deputetët e opozitës, e cilësoi praninë e Ballukut në seancë si një provokim të rëndë për shqiptarët dhe bëri thirrje që të mblidhet Këshilli i Imunitetit, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.
Në seancën e tensionuar, lideri i opozitës, Sali Berisha, doli “live” në rrjetet e tij sociale, nga ku deklaroi se çështja Balluku ka shkuar deri në Kongresin e SHBA-së. Berisha citoi edhe një dokument të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Kongresin amerikan, ku ngrihet shqetësimi për mungesën e pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri dhe përdorimin e drejtësisë si armë kundër opozitës.
Berisha u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që të dalin në shesh më 24 janar, ndërsa akuzoi socialistët se janë të gjithë të korruptuar, njësoj si Belinda Balluku.
Në përfundim të seancës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk do të pranojë bllokimin e drejtësisë dhe mbrojtjen politike të Belinda Ballukut.
© SYRI.net