Hetimet politike - Çështja ‘Partizani’, Gjokutaj kërkesë gjykatës: Të thirret Edi Rama si dëshmitar

15:21, 12/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha ka kërkuar zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, në kuadër të procesit gjyqësor për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës paraprake, avokati Genc Gjokutaj e cilësoi kryeministrin Rama si një “dëshmitar kyç” të procesit. Sipas tij, veprimet konkrete të Ramës në kohën kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, konkretisht kalimi i statusit të truallit nga “klub sportiv” në “shesh ndërtimi”, kanë bërë të mundur zhvillimin e ndërtimit në atë zonë.

“Ajo që ne kemi kërkuar gjykatës, që e kemi kërkuar në SPAK në përfundim të hetimeve dhe që nuk na është pranuar, është thirrja e zotit Edi Rama në cilësinë e dëshmitarit”, deklaroi Gjokutaj, duke theksuar se SPAK nuk e ka marrë në pyetje kryeministrin gjatë fazës hetimore, çka përbën një “mangësi të madhe”.

Avokati i Berishës argumentoi se i gjithë procesi ka një profil “pastërtisht politik”. Ai pretendoi se Struktura e Posaçme Antikorrupsion fillimisht ka gjetur emrin e Sali Berishës dhe më pas ka kërkuar të gjejë një dispozitë ligjore për ta vënë nën akuzë.

Në listën e dëshmitarëve të kërkuar nga mbrojtja është edhe një oficer i policisë gjyqësore, i cili, sipas avokatit, ka qenë aktivist i Partisë Socialiste dhe aktualisht punon në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Thelbi i strategjisë së mbrojtjes, siç u shpreh Gjokutaj, bazohet në argumentin se në këtë dosje “mungon fakti penal”.

Seanca e radhës për çështjen “Partizani” do të mbahet më 26 janar në orën 10:00, ku pritet të vijojë paraqitja e argumenteve nga mbrojtja e të pandehurve të tjerë.

Genc Gjokutaj: Sigurisht, ju jeni tashmë me dije. Parashtrimi i hyrës fillon dhe mbaron duke shpjeguar gjykatës që mungon fakti penal, gjë të cilën ne synojmë ta provojmë në gjykim të çështjes. Gjithashtu, pavlefshmëritë dhe papërdorshmëritë e akteve, të gjitha të risjella në vëmendjen e gjykatës dhe kërkimi për prova.

Në këtë çështje, parashtruam që SPAK-u ka gjetur emrin e Sali Berishës dhe pastaj ka kërkuar se çfarë dispozite t'i vënë nga mbrapa dhe këto çështje kanë një tipologji që mbeten rrugës. Ajo që ne kemi kërkuar gjykatës, që e kemi kërkuar në SPAK në përfundim të hetimeve, edhe që nuk na është pranuar, është thirrja e zotit Edi Rama, në cilësinë e dëshmitarit. Kryeministri i Shqipërisë, ish-kryetar i Bashkisë Tiranë, i cili është një nga dëshmitarët kyç të procesit, i cili ka me veprimet e tij konkrete, pra me kalimin e truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi, ka bërë të mundur këtë ndërtim.

Sollëm në vëmendje edhe gjykatës i thamë që SPAK-u nuk e ka pyetur. Është një mangësi e madhe, ke dëshmitarë periferikë që s'kanë asnjë lidhje, asnjë vlerë për procesin. Këto ishin kërkimet që ne kemi bërë, por ju duhet të dini që do vazhdojë edhe mbrojtja e, një pjesë u konsumua sot e zotit Jamarbër Malltezi, parashtrimi i hyrjes dhe në datë 26, ora 10:00 do të vijojmë me mbrojtjen e subjekteve të tjerë në këtë, proces.

Pyetje: A besoni që gjykata do e pranojë kërkesën tuaj për thirrjen e dëshmitarëve? Është një listë shumë e gjatë dhe mes të cilëve bie në sy emri i kryeministrit.

Genc Gjokutaj: Po shikoni, gjykata në qoftë se do të japë një vendim të bazuar në ligj dhe në të vërtetën objektive që ka ndodhur, sepse përveç zotit Rama ne kemi thirrur edhe oficerin e policisë gjyqësore, zotin Karanxha, i cili ka qenë një aktivist i Partisë Socialiste dhe sot militon në BKH. E kupton? Që dhe çështja ka një, ne e ngritëm, ju ishit në sallë, ne e ngritëm që çështja ka një profil pastërtisht politik, edhe kemi kërkuar edhe administrimin e akteve e videove përkatëse ku zoti Rama, jo vetëm si kryetar bashkie, por edhe si lider i Partisë Socialiste ka bërë thirrje që zoti Berisha të procedohet urgjentisht dhe ato shprehjet që ju i dini të tij në funksion të këtij kërkimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco