Shqipëria ndodhet në kaos total, ku përmbytjet masive nuk janë një fatkeqësi natyrore, por një katastrofë e shkaktuar nga korrupsioni dhe mungesa e kujdesit qeveritar. Ky është alarmi i ngritur pas situatës së rëndë të krijuar në të gjithë vendin nga reshjet intensive, të cilat sipas deputetit të PD, Luçiano Boçi ishin të paralajmëruara por nuk u pritën me asnjë masë parandaluese nga autoritetet.
I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv, nën moderimin e Edvin Parrucës, Boçi tha se qeveria qëndroi "duarkryq" duke pritur që moti të përmirësohej, ndërkohë që ishte plotësisht në dijeni të situatës së parashikuar. Dështimi për të vepruar, sipas ligjvënësit demokrat, i atribuohet si pushtetit qendror ashtu edhe atij lokal, të cilët, pavarësisht se miliona euro janë disbursuar për projekte infrastrukturore, nuk kanë arritur të parandalojnë kolapsin. Akuza direkte drejtohen për keqmenaxhimin dhe korrupsionin me fondet e destinuara për hidrovoret dhe sistemet e kanalizimeve.
Sipas Boçit, prapa kësaj situate qëndrojnë përfitimet monetare të paligjshme të zyrtarëve lokalë dhe qendrorë. "Këto janë sektorët ku grabitet dhe vidhet më shumë, sepse paratë janë nën dhe e nuk shihen," theksoi deputeti.
Partia Demokratike ka kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, një masë që sipas Boçit, qeveria heziton ta marrë. Sugjerohet se ky hezitim buron nga dëshira për t'i shpëtuar përgjegjësisë financiare për dëmshpërblimin e qytetarëve, duke kujtuar se detyrimet ndaj banorëve të Shkodrës nga përmbytjet e kaluara ende nuk janë shlyer.
"Në Shqipëri qeverisja ka vdekur tashmë prej kohësh dhe çdo gjë vazhdon në mënyrë inercike. Jemi në dorë të Zotit, jo në dorë të qeverisë."
Sepse në fakt një qeveri ashtu duhet të reagojë, si në rastin e Kosovës apo të vendeve të tjera dhe jo të rrijë duarkryq dhe të shohë me sy nga qielli se kur do mbarojë shiu apo kur do rikthehet moti normal. Dhe aq më tepër, ju e parashtruat, nuk jemi në kushte atmosferike biblike, nuk është ndonjë shi biblik dhe i paparashikueshëm. Situata e kohës ishte e parashikuar javën më parë, ishte e paralajmëruar dhe ndërkohë qeveria nuk ka lëvizur përgjatë kësaj kohe të shkurtër, sikurse nuk ka lëvizur përgjatë një kohe të gjatë, qoftë pushteti lokal dhe qoftë pushteti qendror.
Megjithëse duhet shtuar, milionat janë disbursuar. Vijnë akuza nga Lezha, akuza nga Durrësi për hidrovorët, për sistemin e kanalizimeve, të kanaleve të papastruara, të painvestuara në formën dhe mënyrën e duhur dhe sigurisht prapa gjithë kësaj situate qëndron korrupsioni, përfitimet monetare që kanë marrë pushtetet lokale, sigurisht dhe pushteti qendror në koordinim me njëri-tjetrin, sepse duhet ta theksojmë që këto sektorë janë sektorët ku grabitet dhe vidhet më shumë, sepse përdoret në mënyrë metaforike, paratë janë nën dhe, nuk shihen dhe ai qytetari nuk e kupton fondin e disbursuar, projektin e realizuar dhe rezultatin e sheh vetëm në situata të tilla, kur këto investime duhet të ishin të gatshme, të ishin në funksion dhe të vepronin për të parandaluar këtë lloj situate që në një përkujdes të zakonshëm do ishte një situatë normale, ditë dimri, ditë të ftohta, ditë me reshje dhe që nuk mund të ishin kjo pasojë përmbytje në një hartë që është shtrirë pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe kjo tregon qartazi që zona të tëra që nuk kanë qenë më parë rrezik përmbytje, për shkak të relievit, për shkak edhe të kujdesit të mëparshëm nga njësitë vendore apo nga pushteti qendror, nuk kanë pasur probleme të tilla.
Për vite e vite të tëra, sot çuditërisht, përfshirë Gjirokastrën, përfshirë Durrësin, përfshirë zonat e jugut, janë në një gjendje që as nuk ishte menduar më parë. Katastrofë duket që nuk është natyrore, është katastrofë mungese qeverisjeje, kujdesi qeveritar, katastrofë korrupsioni që po shfaqet dhe çdo ditë e më shumë po del ai kallaji nga shiu i zakonshëm që ka rënë dhe sot preket ajo që është folur nëpër media, është denoncuar nga PD-ja që ky sistem korruptiv s'ka prodhuar të mira materiale për shoqërinë, për qytetarin, por ka prodhuar katastrofa, gjendje të tilla dhe vetë, edhe tani që duhet të lëvizë, mblidhet qeveria, nuk di, mblidhet për propagandë dhe nuk merr masën kryesore, që është ajo që kërkoi PD-ja, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Mos harrojmë një gjë që para disa muajsh është kërkuar shpallja e kësaj gjendje dhe për situatën e zjarreve?
Dhe qeveria përsëri nuk e ka bërë. Pikëpyetja është pse nuk e bën? Pse nuk e bën? Sepse ndoshta këtu kërkon të shmangë përgjegjësinë, duke e inkluduar në atë që po ndodh dhe në vendet e tjera dhe është pjesë e asaj ç'po ndodh në rajon. Pjesa tjetër ka të bëjë me përgjegjësinë që ka pas shpalljes së kësaj gjendje për t'iu përgjigjur dëmeve që i janë shkaktuar qytetarëve, sepse janë dëme monetare, përkthehen menjëherë në ndërhyrje monetare. Gjë që qeveria nuk kërkon ta bëjë, nuk e ndjen këtë lloj përgjegjësie. Për mos thënë këtu që, megjithëse jemi në 2026-ën, qeveria ka akoma detyrime ndaj qytetarëve të Shkodrës të papaguara për përmbytjet që i janë shkaktuar përgjatë këtyre viteve që këta kanë qenë në qeverisje.
Pra, në një anë papërgjegjshmëria për t'iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve dhe nga ana tjetër është edhe papërgjegjshmëria për t'i rimbursuar ata nga ana financiare. Dhe prandaj hecet në këtë linjë. Ajo që më bën çudi është kjo pjesa e masave në afat të shkurtër kohor, Edvin. Kemi tre ditë, katër ditë, Durrësi është në një gjendje shokuese dhe unë nuk shoh që ka ndërhyrje reale konkrete përpos propagandës. Kemi të njëjtën situatë edhe në jug të vendit dhe nuk shoh që ka ndërhyrje. Situata po rëndohet për shkak të dëborës në veri, në rrugët kryesore të vendit. Qafë-Plloça është në juglindje, është e bllokuar dhe ishte paralajmëruar nga një shembje tjetër dhe nuk ka ndërhyrje. Ndërkohë që në rrugët që i mbulon bora, nuk ka pastrime.
Pra, Shqipëria është në kaos total, në mosqeverisje totale dhe këtu thjesht prodhohen lajme në ato vende ku janë prodhuar gjithmonë, për të shpërndarë mjegullnajë, sikur po punohet, ndërkohë që pasojat sapo shkohet në terren, preken që janë katastrofike për qytetarët, për qytetet, për situatën e përgjithshme, qoftë edhe atë globale ekonomike të Shqipërisë, pasi janë ndërprerë qarkullimet në rrugët kryesore dhe dëmet janë jo vetëm në nivelin e familjeve, të ekonomisë së familjeve shqiptare, por edhe në nivele ekonomike të biznesit. Është ajo që është zbuluar tashmë, nuk ka institucione.
Institucionet janë zhvendosur në zyra personale. Ajo që përllogaritet në një qeverisje është marzhi i fitimit të ministrave dhe njerëzve pranë tyre, duke marrë para nga buxheti i shtetit, duke bërë sikur i investojnë dhe duke grabitur atë pjesë që e kanë hedhur më pas edhe për të mbajtur pushtetin politik dhe më mirë se e zbuloi shiu i këtyre ditëve, nuk besoj që e kanë zbuluar gjëra të tjera. Sigurisht, i bashkangjitet atyre fakteve tronditëse që kanë dalë nga dosjet e SPAK-ut, por që një qytetar i zakonshëm me një logjikë normale i bashkon të dyja bashkë dhe e kupton shumë mirë që në Shqipëri qeverisja ka vdekur tashmë prej kohësh dhe çdo gjë vazhdon në mënyrë inercike. Mendohet që Shqipëria do ecë mirë vetëm po të ketë kohë të mirë. Shqipëria do ecë mirë po mos ketë zjarre, Shqipëria do ecë mirë po mos ketë përmbytje, sepse jemi në dorë të Zotit, nuk jemi në dorë të qeverisë.
© SYRI.net