Nga Gjergj Erebara - BIRN
Nëse mundet që bota e stërmadhe e medias sociale të përshkruhet me pak fjalë, është pak a shumë kjo: media e tipit Facebook apo Instagram, të cilat përdoren më shumë nga shqiptarët e moshës së re e të mesme, përpiqen t’i mbajnë njerëzit në lundrim sa më gjatë, duke i dhënë atyre informacionin që Facebook supozon se po kërkojnë, supozime të mbështetura në informacionin e mbledhur nga sjellja e përdoruesit. Ky model biznesi ka bërë që Facebook të fitojë përmbajtje të ofruar falas nga përdoruesit, kryesisht përmes llogarive personale, dhe ta shesë vëmendjen e tërhequr të publikut nga ky informacion, te reklamuesit që reklamojnë kryesisht nga faqet.
Facebook dhe Instagram duket se përdorin një kombinim të luhatshëm të interesit që kanë për përmbajtje që përdoruesit ia japin falas, dhe interesit që kanë për shitjen e reklamave, për të caktuar vizibilitetin e secilit postim.
Postimet për të cilat përdoruesit e tjerë shprehin interes, u shfaqen më shumë njerëzve. Postimet për të cilat nuk shfaqin interes, do të duhet që postuesi të paguajë reklama që të mund t’i shpërndahet mesazhi. Reklamat funksionojnë nga ana e tyre në formë burse. Nëse ka shumë kërkesë për reklama, siç ndodh në fushata zgjedhore në Shqipëri, çmimi rritet. Rrjedhimisht, kur je biznes i vogël që dëshiron të reklamosh diçka në kohë zgjedhjesh në Shqipëri, mund të vëresh se si kostoja për të arritur disa blerës potencialë dyfishohet apo trefishohet për shkak se lumi i parave të fushatës praktikisht të nxjerr jashtë tregut.
Grupe të ndryshme, fjala vjen, qeveritë, përdorin sjellje të koordinuar për të gënjyer algoritmin sikur një postim i caktuar përbën interes të lartë. Siç është vërejtur nga së paku një hetim në SHBA, Facebook nuk ka ndonjë shqetësim të madh nga kjo sjellje e koordinuar, megjithëse zyrtarisht e konsideron të parregullt. Arsyeja është se sjellja, e koordinuar apo tjetër, i shërben Facebook që të mbajë në linjë më shumë përdorues dhe për një kohë më të gjatë.
Ata që kanë shumë burime në dispozicion, si, fjala vjen, kryeministri Edi Rama, përpiqen të dominojnë, dhe me shumë raste ia dalin të domonojnë median sociale përmes një fenomeni që ekspertët e njohin si saturizim. Ndërsa një kritik i qeverisë mund të bëjë një postim, qeveria ka ushtri të tëra me propagandistë që janë në gjendje të prodhojnë një volum të stërmadh materialesh, të cilat, duke pasur cilësi grafike më të lartë, dhe duke shfrytëzuar burime financiare të stërmëdha, arrijnë të dominojnë median sociale duke lënë zërat kritikë të izoluar nëpër oborre të ngushta.
Metodat që Facebook dhe rrjete të tjera sociale përdorin për të mbajtur përdoruesit, individë apo reklamues, të varur prej vetes, janë përshkruar nga ekspertët si metoda të huazuara nga industria e bixhozit dhe kanë ngritur shqetësime se kanë krijuar varësi te njerëzit. Në industrinë e bixhozit, njësia matëse e suksesit nuk është sa para ka shpenzuar kumarxhiu në kazino, por sa orë ka kaluar duke luajtur. Kohëzgjatja e shpenzuar në lojë është treguesi i suksesit. Paratë e fituara janë rrjedhojë e kësaj dhe jo objektivi primar. E njëjta gjë ndodh me Facebook, interesi i së cilës është të mbajë njerëzit sa më gjatë në platformë.
Algoritmet kanë krijuar “ishuj” apo “oborre të brendshme”, në të cilat, grupe të caktuara përdoruesish ndërveprojnë me njëri-tjetrin, ndërsa algoritmi mënjanon çfarëdolloj informacioni për të cilin grupi nuk ka shprehur interes. Kjo është mënyra se si Facebook ka funksionuar tashmë prej vitesh, duke krijuar “dhoma të jehonave” (echo chamber) apo grupe të izoluara njerëzish të cilët rrotullohen me njëri-tjetrin pa parë më tutje.
Por më 31 maj, ky sistem duket se u thye. Orteku i reagimeve të qytetarëve ndaj ngjarjes së shëmtuar të dhunimit dhe rrëmbimit të një qytetari nga rojat private të sigurisë në Zvërnec ishte origjina e gjithë kësaj. Nëse e mbani mend, ngjarja në Zvërnec ndodhi më 30 maj, ditë e shtunë, dhe deri të dielën, kur disa qytetarë në Tiranë thirrën një protestë ku morën pjesë mijëra vetë, algoritmi i Facebook u trondit, jo se pati ndonjë komplot, jo se pati ndonjë “luftë hibride”, por për shkak se, për fatin e keq të qeverisë, qytetarët u zemëruan në atë masë sa reagimi në rrjetet sociale theu muret e oborreve tradicionale, kapërceu ishujt e izolimit apo dhomat e jehonës dhe u derdh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërsa media tradicionale heshti, qytetarët vunë re fytyrën e oligarkisë: kontroll i sferës mediatike tradicionale përmes injorimit të lajmit të vërtetë dhe bombardimit me emisione spektakli dhe saturimit të medias sociale nga qeveria.
Zemërimi i qytetarëve natyrisht që nuk u krijua në mënyrë artificiale as nga algoritmi dhe as nga ndonjë informacion i rremë. Zemërimi qytetar thjesht sa arriti pikën e shpërthimit me ngjarjen në Zvërnec. Ishte zemërimi ai që theu algoritmin dhe jo algoritmi ai që shkaktoi zemërimin.
© SYRI.net