I ftuar në intervistën e mesditës, drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, ka folur për situatën e përmbytjeve në vend dhe ndikimin e tyre në bujqësi, duke e cilësuar gjendjen si katastrofike për fermerët shqiptarë.
Sipas Vuksanit, propaganda zyrtare trajton vetëm një pjesë të ngushtë të problematikës dhe nuk adreson në thelb pasojat që përmbytjet sjellin për bujqësinë dhe blegtorinë. Ai theksoi se fermerët po përballen me humbje totale të prodhimit dhe të ardhurave, duke u detyruar të rinisin procesin e punimit dhe mbjelljes nga e para, me kosto të larta dhe pa asnjë garanci që situata nuk do të përsëritet.
Vuksani nënvizoi se këto nuk janë reshje të jashtëzakonshme, por fenomene atmosferike normale, ndërsa problemi qëndron te gabimet njerëzore. Ai iu referua edhe mendimit të specialistëve, sipas të cilëve përmbytjet nuk janë pasojë e fatkeqësive natyrore, por e ndërtimeve të gabuara dhe menaxhimit të dobët të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e hidrocentraleve mbi nivele të papërshtatshme.
Një tjetër shqetësim madhor, sipas tij, është mungesa e përgjegjësisë së qartë institucionale për sistemin e ujitjes dhe kullimit. Kompetencat e shpërndara mes Ministrisë së Bujqësisë, bashkive dhe njësive administrative kanë krijuar konfuzion dhe neglizhencë, duke bërë që problemi të mbetet pa zgjidhje.
Përveç dëmtimit të të mbjellave, Vuksani paralajmëroi edhe për pasoja afatgjata, si kripëzimi i tokave, veçanërisht në zonën e Lezhës, ku depërtimi i ujit të kripur nga lagunat po nxjerr toka të tëra jashtë përdorimit bujqësor dhe po dëmton rëndë cilësinë e tyre.
Vuksani:
Absolutisht është një situatë katastrofike për bujqësinë shqiptare dhe për fermerët shqiptarë sepse ndonjëherë propaganda e Shqipërisë shkon në atë drejtim që atyre u intereson më shumë, të një rruge, të një pamje të ngushtë të gjithë puzzle-it dhe nuk e trajton fare problemin e bujqësisë, problemin e blegtorisë, problemin e fatkeqësisë që ndodh tek fermeri.
Pra nëqoftëse toka mbytet në një sezon të caktuar, por ky nuk është rasti i vetëm, një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vjeshtë, i gjithë prodhimi i fermerit për atë vit, i gjithë fitimi i tij i pritshëm, ka shkuar dëm dhe ai s’duhet t’ia fillojë edhe njëherë nga e para, pra duhet ta punojë tokën edhe njëherë, duhet ta mbjellë tokën edhe njëherë, duhet të blejë farën edhe njëherë nga e para dhe si të thuash duhet t’i lusë Zotin që nuk ndodh prapë ajo.
Zakonisht edhe nga pikëpamja e riskut, sepse ne themi vazhdimisht që kemi risk, edhe llogaritjen e riskut, të reshjeve të jashtëzakonshme të vijnë njëherë në 5 vjet, njëherë në 10 vjet, këtu nuk po flasim më për reshje të jashtëzakonshme.
Kjo është një ngjarje normale atmosferike dhe ka ndodhur ky fenomen dhe siç shpjegoi një inxhinier i njohur i Durrësit, ai thoshte që ky nuk është një problem i fatkeqësisë natyrore, ky është një problem i gabimeve njerëzore dhe fokusin e përqendronte tek ndërtimi i hidrocentralit që ka ndodhur në Durrës, që është ndërtuar mbi nivelin e hidroforit të vjetër.
Një nga problematikat kryesore të organizimit të ujitjes dhe kullimit të mbajtjes së hidrovorit është përgjegjësia e shpërndarë në shumë institucione. Për shembull, Ministria e Bujqësisë është përgjegjëse për kanalet e para kulluese, pra për atë kanalin kryesor dhe bashkia ose njësitë administrative janë përgjegjëse për kanalet e dyta dhe të treta dhe vazhdimisht topi kalohet nga një vend në një vend tjetër, pra ose e ka bashkia ose e ka ministria e bujqësisë.
Problemi kryesor që kanë fermerët është se ky fenomen përveçse prish të mbjellat e një cikli bujqësor, po ndodhin fenomene të tjera siç është kripëzimi i tokave sidomos në zonën e Lezhës, ku uji ka hyrë nga uji i kripur i lagunës, kanë ndodhur rritje të përqendrimit të kripërave në këto toka dhe kripëzimi i tokave bën që për një kohë të gjatë toka del jashtë përdorimit, prishet cilësia e saj.
© SYRI.net