Foltorja para kryeministrisë/ Myrtollari: Rama ka humbur çdo të drejtë morale për të qeverisur! Dorëheqje

19:52, 05/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një fjalim të mbajtur para protestuesve, Kandidati për deputet në listën e hapur i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Shyqyri Myrtollari lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një "narko-shtet" përgjegjës për korrupsion galopant, keqqeverisje dhe një krizë demografike që po zbraz vendin. Ai bëri thirrje të fortë për bashkim kombëtar, duke ftuar qytetarët të lënë mënjanë ndasitë politike për të rrëzuar sistemin aktual dhe për të kërkuar dorëheqje, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Partia Demokratike mbajti sot foltoren e parë për 2026-ën, duke mbledhur qytetarë të shumtë përballë godinës së qeverisë pasditen e sotme.

Foltorja e cila ndryshe konsiderohet edhe si Kuvendi i qytetarëve dhe i deputetëve, tashmë kërkon që Rama të dorëhiqet për t’i hapur rrugën një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Fjala e Shyqyri Myrtollarit

Një narko-autokrat, si Nikolas Maduro, u arrestua nga forcat speciale të ushtrisë amerikane. Një mesazh shprese për qytetarët se narko-shtetet nuk mund të zgjasin përgjithmonë dhe ato e kanë një fund. Ajo ngjarje duhet të shërbejë edhe për të frymëzuar njerëzit e lirë dhe të ndershëm në Shqipëri, që të reagojnë ndaj padrejtësive, keqqeverisjes, korrupsionit galopant dhe shpopullimit, në narko-shtetin e krijuar nga Rama-Duro i Shqipërisë.

Ne duhet të kërkojmë të mblidhemi të gjithë këtu jo si të majtë apo të djathtë, as si socialist apo demokratë, por të mblidhemi si qytetarë shqiptarë, të një vendi që po vidhet, që po keqqeveriset dhe po zbrazet çdo ditë. Ne duhet të mblidhemi e t'i japim një shkelm qeverisë, sepse po pengon drejtësinë të bëjë punën e saj.

Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar një dosje me 10.000 faqe prova ku akuzon zëvendëskryeministren dhe ministren e infrastrukturës për shpërdorim të parave publike. Gati 1 miliardë euro të taksapaguesve shqiptarë. Ka kërkuar heqjen e imunitetit për ta arrestuarën sepse ekziston rreziku i prishjes së provave. Por kryeministri Rama-Duro, për herë të parë që prej kohës që është në pushtet, nuk e dorëzon dhe e mbron nga drejtësia. E zvarrit procesin, e çon çështjen në Gjykatë Kushtetuese sepse nuk po mbron Ballukun, por po mbron veten e tij. Në dosje dalin fakte shumë tronditëse. Pagesa për mediat për të mbajtur linjën editoriale. Tendera të paracaktuar para sesa të shpalleshin.

Shteti i kthyer në bankomat për një grusht njerëzish. Dhe si të mos mjaftonte kjo, del në pah edhe ajo që u denoncua nga ish-bashkëpunëtori i kryeministrit Rama, Arben Ahmetaj: Lidhja e pushtetit me krimin e organizuar. Sot akuzat që dikur u quajtën shpifje dhe jo reale, po rezultojnë të vërteta. Kjo nuk është një aferë e izoluar, por është një provë se një sistem është ngritur, një sistem që duhet ta shembim me bashkimin tonë. Ky sistem anti-shqiptar, anti-kombëtar, ka detyruar gati 1 milionë shqiptarë të largohen nga vendi. Një sistem që ka boshatisur rininë. Sot vetëm 22% e popullsisë janë nga grupmoshat 15 deri 29 vjeç.

Një rënie dramatike nga viti 2011. Sot, domethënë nga viti 2011 deri në vitin 2026, janë 40% rënie e popullsisë të re, 15 deri 29 vjeç. Një sistem që ka larguar 47% të të diplomuarve, duke i hequr këtij vendi trurin dhe shpresën. Na premtuan shëndetësi falas.

 Sot kemi korrupsion në sistem dhe spitale në kolaps. Pa ilaçe, pa poltrone. Ju sjell në vëmendje gjendjen e spitalit onkologjik. Na premtuan një arsim cilësor. Sot jemi të fundit në rajon. Ju sjell në vëmendje raportet e PISA-s për nxënësit shqiptarë. Na premtuan ujë 24 orë. E pamë çfarë ndodhi në Vlorë. Për një manikotë, për ta riparuar defektin, një manikotë që mungonte në magazinat e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, la Vlorën pesë ditë pa ujë. Apo gjithë ato familje që ndërrimin e vitit e pritën pa energji elektrike. Na premtuan mirëqenie ekonomike. Sot kemi çmimet më të larta të shportës së ushqimeve, çmimet më të larta të apartamenteve dhe ndërtojmë rrugët më të shtrenjta se kudo në Ballkan me cilësinë më të ulët.

Kjo qeveri ka dështuar dhe më keq akoma, ka humbur çdo të drejtë morale për të qeverisur. Edhe pse sot flitet për narko-diktatura që bien, ndryshimi nuk vjen vetëm nga jashtë. Ndryshimi vjen kur qytetarët ngrihen bashkë. Pa urrejtje, por me vendosmëri, me bashkim dhe me guxim, të ngrihemi sot, të mos protestojmë për një parti, por të protestojmë për Shqipërinë, për dinjitetin tonë, për fëmijët, për të ardhmen që na është vjedhur. Prandaj i bëj thirrje çdo shqiptari, atyre që kanë votuar majtas, atyre që kanë votuar djathtas, atyre që nuk votojnë më nga zhgënjimi: Ejani të gjithë së bashku! Sepse të gjithë jemi vjedhur njësoj. Të gjithë jemi keqqeverisur njësoj. Dhe vetëm bashkë mund ta ndryshojmë këtë realitet. Ky është çasti i duhur, çasti i qytetarëve shqiptarë. Ky është çasti i Shqipërisë. Dorëheqje, qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe demokratike. Këto janë kërkesat tona. Duke kërkuar të mbyll fjalën, dua t'ju uroj të gjithëve nga zemra një vit të mbarë për gjithë familjet shqiptare dhe qoftë ky viti i ndryshimeve të mëdha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco