Klima politike në vend paraqitet e tensionuar, ndërkohë që qeveria e kryeministrit Edi Rama përballet me kritika në rritje pas skandaleve të fundit, siç janë dosjet “Balluku” dhe “AKSHI”. Paralelisht me situatën e brendshme, po shtohen zërat për një izolim në rritje të kryeministrit në arenën ndërkombëtare, ku partnerët strategjikë si SHBA dhe BE duket se nuk po mbyllin më sytë ndaj korrupsionit dhe vjedhjes së votës.
Në një analizë të zhvillimeve të fundit, Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Enri Ceno, e cilësoi këtë periudhë si “një moment shumë të keq” për kryeministrin dhe qeverinë e tij. Sipas tij, kjo situatë i jep opozitës një mundësi për ta kthyer presionin ndaj qeverisë në një avantazh politik. Ceno pretendon se “bllokada” ndërkombëtare ndaj kryeministrit Rama ka nisur që në 5 nëntor, pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar këtë datë si fillimin e rënies së tij.
Si dëshmi të këtij izolimi, ai përmendi mungesën e Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator dhe interpretoi simbolikisht një darkë të fundit me diplomatët si “darka e fundit”. Pika më kritike e këtij presioni të ri ndërkombëtar lidhet me një ndryshim të politikës amerikane ndaj rajonit. Sipas Cenos, në Uashington kanë kaluar një sërë ligjesh që prekin drejtpërdrejt pushtetin në Tiranë.
Më konkretisht,Çeno thotë se bëhet fjalë për ligjin e fundit për Mbrojtjen Kombëtare (NDAA), i cili përfshin dispozita të posaçme për Ballkanin Perëndimor. Ky legjislacion parashikon një afat prej 100 ditësh për të ndërmarrë veprime konkrete. Brenda kësaj periudhe, pritet që Thesari Amerikan të vendosë sanksione ndaj individëve të caktuar në rajon, përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë si kryeministrat.
Sipas Çenos, në shënjestër do të jenë ata drejtues politikë, politikat e të cilëve gjykohen se janë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-së dhe me interesat e vetë qytetarëve që ata përfaqësojnë. Ky zhvillim sinjalizon një ashpërsim të qëndrimit të Uashingtonit dhe e vendos qeverinë shqiptare nën një presion të shumëfishtë, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, duke e lënë pushtetin e saj, sipas analistëve, më të ekspozuar se kurrë më parë.
Çeno:
Unë do ta cilësoj që ky është një moment shumë i keq për kryeministrin dhe për qeverinë e kryeministrit. Kjo patjetër. Nga ana tjetër, kjo duhet të na japi forcë ne si opozitë për të bërë detyrat tona, në mënyrë që ne ta kthejmë në një avantazh edhe për për forcën tonë politike.
Bllokada ka filluar që vjet në 5 nëntor kur zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës fitoi Donald Trump. Sigurisht që më 5 nëntor unë kam qenë i bindur, unë e kam shprehur publikisht edhe nëpër media në në Tiranë, që ky është momenti i vështirësisë dhe i fillimit të rrëzimit të kryeministrit të Shqipërisë. Pavarësisht se ai fitoi zgjedhjet dhe i mori zgjedhjet ashtu si si i mori në në majin e shkuar. Por Edi Rama, kjo darka që sapo pamë në insert, në formë simbolike mund ta quajmë darka e fundit.
Gjithashtu Edi Rama nga krahu tjetër nuk mund të humbte shansin e mos shkuarit në Kombet e Bashkuara, në Asamblenë e Përgjithshme në shtator, ku mungesa e tij u pa nga të gjithë shqiptarët. Kjo sigurisht që ka arsye shumë të forta. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pra në Washington kanë ndodhur shumë ndryshime, jo vetëm në në strukturimin edhe perceptimin e pushtetit dhe gjeopolitikës të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit, dhe atje kanë kaluar një sërë ligjesh që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë edhe pushtetin e Tiranës.
Brenda 100 ditëve të ardhshëm sigurisht që do ketë drejtues politik, edhe në nivel kryeministri, të cilët do sanksionohen dhe këtë herë sanksionimet nuk do ndodhin vetëm nga Departamenti i Shtetit, por do jetë thesari amerikan që do do fillojë të sanksionojë individë të caktuar të cilët ndjekin politika të kundërta jo vetëm me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sigurisë kombëtare, por edhe në interes të kundërt të vetë qytetarëve të vendeve të cilët këta persona drejtojnë.
© SYRI.net