Protesta e opozitës në Tiranë u shoqërua me tensione dhe incidente pas përfundimit të fjalimit të liderit historik, Sali Berishës. Protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe molotov drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa nuk munguan edhe përplasjet mes turmës dhe forcave të policisë. Ndërkohë, si pasojë, një protestues mbeti i lënduar, ndërsa nuk munguan edhe shoqërimet në polici të disa protestuesve.
Syri TV
Protesta e opozitës nuk u mbyll pa incidente. Pas përfundimit të fjalës së liderit historik të opozitës, Sali Berisha, protestuesit nisën të hedhin molotov drejt godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit “ndezën” hyrjen e godinës, pavarësisht forcave të shtuara policore të vendosura aty.
Ndërkohë nuk munguan as provokimet nga radhët e policisë, e cila hapi një kordon që protestuesit të mund të afroheshin te dera e godinës, por protestuesit nuk tentuan të afrohen, duke vijuar të gjuajnë drejt godinës me flakadanë dhe molotovë.
Gjatë hedhjes së molotovëve pati edhe incidente, siç ishte rasti i një prej protestuesve që u përfshi nga flakët. Molotovi u hodh në drejtim të godinës, por u kthye mbrapsht nga policia, duke lënduar një qytetar që tentoi ta largonte molotovin nga protestuesit.
Ndërkohë, protestuesit shkulën edhe gardhin metalik të vendosur nga policia, në shenjë revolte, ndërsa si pasojë e këtyre veprimeve dhe hedhjes së molotovëve apo lëndëve piroteknike, uniformat blu kanë shoqëruar disa protestues të Partisë Demokratike.
© SYRI.net