Nga Felix Bilani/
Zgjedhja e Endri Shabanit në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, e vulosur në seancën e fundit parlamentare me 85 vota, shënon fundin e iluzionit për pavarësinë e institucioneve kushtetuese në Shqipëri. Ajo që u shit si një "frymë e re", në thelb rezultoi të jetë thjesht një manovër e vjetër e pushtetit për të çimentuar kontrollin absolut. Përtej retorikës së "djalit të ri të shkolluar jashtë", një analizë e ftohtë e fakteve zbulon dy të vërteta të hidhura: lidhjen e tij organike me agjendën e Fondacionit Soros dhe faktin e pakontestueshëm se ai është një i emëruar i "Rilindjes", jo i opozitës.
Thyerja e "Gentlemen's Agreement" dhe Kapja e Institucionit që në çdo demokraci funksionale, Avokati i Popullit është "gardiani" që mbron qytetarin nga abuzimet e qeverisë. Pikërisht për këtë arsye, tradita politike dhe logjika kushtetuese e do që ky post t'i takojë propozimit të Opozitës. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar që Avokati nuk do të ketë frikë të ngrejë gishtin ndaj Kryeministrit apo ministrave.
Më 11 Dhjetor, kjo logjikë u përmbys. Endri Shabani nuk u zgjodh me konsensus, dhe as me votat e opozitës reale, e cila braktisi sallën. Ai u zgjodh me 85 vota, një numër që dëshmon qartë se ishte Partia Socialiste dhe makineria e votave të mazhorancës ajo që e vendosi në atë karrige.
Pyetja retorike që shtrohet është e thjeshtë: Kur një qeveri, e akuzuar shpesh për arrogancë dhe shkelje të të drejtave, zgjedh vetë "gjykatësin" e saj, a mund të pritet drejtësi? Një Avokat i Popullit që e merr mandatin nga duart e qeverisë, moralisht dhe politikisht, është i pamundur të veprojë kundër saj. Zgjedhja e Shabanit është, de facto, asgjësimi i institucionit si kundër-pushtet, ku profili Ideologjik është "Soroizmi" si emërues i përbashkët gjë që shkon përtej numrave në Parlament si shqetësimi më i thellë që lidhet me formimin dhe përkatësinë ideologjike të figurës së zgjedhur. Të dhënat publike nga karriera e Z. Shabani konfirmojnë angazhimin e tij të drejtpërdrejtë në strukturat e "Open Society Foundation" (Soros), ku ka shërbyer si Menaxher Programi.
Në kontekstin shqiptar, ku shpesh është debatuar mbi ndikimin e këtij rrjeti në reformën në drejtësi dhe në mbështetjen e politikave të qeverisë "Rama", ky detaj nuk është periferik. Vendosja e një ish-zyrtari të Sorosit në krye të Avokatit të Popullit mbyll qarkun e një rrjeti që kontrollon pikat kyçe të shoqërisë civile dhe institucioneve.
Ky profil tregon se Shabani nuk vjen nga llogoret e mbrojtjes së interesit kombëtar apo konservatorizmit që ruan vlerat e familjes dhe individit përballë shtetit globalist, por vjen nga e njëjta "shkollë" politike që ka frymëzuar qeverisjen aktuale. Për pasojë, ai shihet jo si një zë kritik, por si një zgjatim i "elites" që qeveris, duke ndarë të njëjtën gjuhë, të njëjtën qasje dhe, me gjasë, të njëjtët padronë me mazhorancën që krijojnë një Fasadë e re për të njëjtin regjim.
Zgjedhja e Endri Shabanit është dëmi më i madh afatgjatë që i bëhet institucionit. Duke vendosur një figurë që vjen nga "Shoqëria e Hapur" dhe që votohet nga kartonat e socialistëve, qeveria ka arritur dy qëllime:
1-Ka neutralizuar institucionin, duke u siguruar që Avokati i ri nuk do të jetë kurrë një "dhimbje kokë" reale për pushtetin.
2-Ka krijuar fasadën e "meritokracisë" dhe "fytyrave të reja", duke maskuar kapjen e shtetit pas një imazhi prej djaloshi të shkolluar në Perëndim.
Qytetarët shqiptarë sot nuk kanë një Avokat të tyre. Ata kanë një zyrtar më shumë të qeverisë, të maskuar nën petkun e pavarësisë. Endri Shabani, me votën e djeshme, vërtetoi se nuk është zgjidhja kundër sistemit, por produkti më i rafinuar i tij.
© SYRI.net