Një betejë e gjatë ligjore ka marrë një kthesë të papritur, duke shtyrë Ardit Lalën, të bëjë kallëzim penal ndaj tre ekspertëve të Policisë Shkencore. Shkak është bërë një akt-ekspertimi i fundit, i cili ndryshon tërësisht konkluzionet e një hetimi pesëvjeçar lidhur me vërtetësinë e firmës së babait të tij të ndjerë.
I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' Lala u shpreh se çështja, e cila ishte hetuar më parë nga Prokuroria e Kukësit, kishte arritur në përfundime të caktuara. Megjithatë, një ekspertizë e re e shtatorit 2024, e kryer nga tre ekspertë të tjerë të të njëjtit institucion, hedh poshtë gjithçka, duke pretenduar se firma është autentike.
Duke e parë këtë si një kontradiktë të pajustifikueshme, ai ka vendosur t'i drejtohet organeve të drejtësisë duke depozituar një kallëzim penal për veprën penale “ekspertim i rremë”.
“Nuk mund të ekzistojnë dy qëndrime nga i njëjti institucion për të njëjtën çështje”, shprehet ai, duke theksuar se logjika të çon drejt një përfundimi të vetëm: njëri prej dy grupeve të ekspertëve nuk ka thënë të vërtetën.
Përvoja e vështirë e ka shtyrë drejt studimeve për drejtësi, duke e kthyer atë në “objekt dhe subjekt” të betejës së tij. Ndër të tjera, ai tregon se gjatë këtij rrugëtimi është përballur me përbuzje dhe madje edhe me tentativa intimidimi, siç ishte rasti kur një nga ekspertet tentoi ta fotografonte gjatë xhirimeve të një emisioni investigativ ku ai po denonconte rastin.
Për të, kjo nuk është thjesht një çështje personale, por një betejë për të vërtetën dhe për llogaridhënie brenda sistemit. I shtyrë nga amaneti i të atit dhe vuajtjet e familjes, ai deklaron se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi pa u tërhequr, pavarësisht pasojave.
“Shteti shqiptar ka nevojë për të rinj që e kërkojnë të drejtën me ngulm, derisa e vërteta të zbardhet dhe secili të marrë atë që i takon”, përfundon ai.
Pjesë nga deklarata:
"Në shtator të vitit 2024, tre ekspertë të Policisë Shkencore shprehen që firma është e zotërisë. Sepse njerëzit mund të mendojnë tani që ekspertët ndryshojnë mendje? Po ka një praktikë që është e unifikuar që ekspertët kanë një objekt ekspertimi. Kanë dhe modele krahasuese, kanë dhe një metodikë hetimi.
Atëherë metodika është e njëjtë. Objekti i ekspertimit është i njëjtë, modelet krahasuese janë të njëjtat.
Pse është qëndrimi i ndryshëm? Okej. Këtu lind pyetja. Modelet krahasuese janë të njëjtat. Ose ekspertët janë më të zot, nuk e di, nuk e pretendoj, nuk kam prova për ta thënë.
Nuk kam prova për ta thënë, po që kjo si me thënë ishte konkretisht problematika pse unë u drejtova dhe emisionit investigativ Piranjat. Atëherë, unë i kam bërë një kallëzim penal tre ekspertëve të fundit. Sepse logjika të çon drejt asaj që nuk mund të ekzistojnë dy qëndrime për të njëjtën gjë.
Dhe po të shohësh emisionin një moment, njëra nga ekspertët thotë që secili koleg mban përgjegjësinë e vet. Dhe në fund të ditës unë këtë po kërkoj
Kjo ishte dhe arsyeja pse unë nisa, sepse flasim për veprën penale ekspertim i rremë. ish-prokurori e cila nisi procedim penal për këta dy shtetas, mbi këto tre akte ekspertimi, sot thotë të vërtetën. Këta dy shtetas, mbi këto tre akte ekspertimi, sot thotë të vërtetën.
Atëherë unë në vitin 2024 përfundoj studimet në drejtësi. Pra kam qenë gjithmonë i investuar në problemet familjare, siç e thashë më përpara, edhe problemet civile më kanë bërë që unë të futem pra, të investohem shumë në drejtësi. Dhe konkretisht është ajo që the ti, pra Shqipëria është ky vend pra që po jetojmë. Pra ka këto problematikat kryesore. Kam qenë një djalë 20 vjeç, i cili shkonte vetëm normalisht me ndihmesën e avokatit në seanca. Pra në seanca të cilat dhe shpesh nga ekspertët jam dhe i përbuzur.
Shohim dhe pra në një fragment të emisionit kur njëra nga ekspertët tenton të nxjerri telefonin dhe të më bëjë foto. Pra, shohim dhe një formë intimidimi ndaj njerëzve që duan të thonë të vërtetën. Pavarësisht se unë e kam amanet e im atë shpesh që të vërtetën time unë do ja them gjithmonë. Cila do të jetë pasoja dhe cila do të jetë përgjegjësia që unë do mbaj në fund. Sepse për këto fjalë unë jam, mbaj, jam përgjegjës.
Patjetër, ndoshta shpeshherë ka qenë edhe shtysë për mua që të të qëndroj në Shqipëri, sepse në fund të ditës ne bëjmë një pyetje, pra cila është garancia që na ofron ky shtet? Cila është garancia juridike mbi të gjitha.
Kështu që, por deri tani mendoj që shteti shqiptar ka nevojë për njerëz si unë, tani po e lë modestinë me një anë, për të rinj si unë që duan ta kërkojnë të drejtën me do mos, pra me kusht, pra që në fund të ditës e vërteta të zbardhet dhe secili të marrë atë që i takon. Nuk po pretendoj asgjë më shumë përveç se të vërtetën".
© SYRI.net