Edi Paloka, nga foltorja e Kuvendit, deklaroi se mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama nuk zbatojnë marrëveshjet dhe se të presësh prej tyre të kundërtën është naivitet.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i PD u shpreh se që në momentin që Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste dhe qeverisë, marrëveshjet nuk janë respektuar. Ai theksoi se është iluzion të pritet që Kryeministri Rama të zbatojë "marrëveshje xhentëlmenësh".
"Të jemi kaq naivë që të presim nga një qenie si Rama të zbatojë marrëveshjet e xhentëlmenëve? Kjo është kulmi i naivitetit," deklaroi ai, duke shtuar se ky parlament nuk ka më asnjë vlerë dhe funksionon vetëm duke zbatuar urdhrat e kryeministrit.
Sipas Palokës, në sallën e Kuvendit nuk zbatohet as rregullorja, as ligjet e as Kushtetuta. Duke iu referuar një situate konkrete, ai përmendi se opozita kishte propozuar një kandidat, i cili nuk ishte pranuar nga mazhoranca. "Edhe prapë po të vinit me një kandidat, prapë s'do e pranonit. Nuk ka budalla këtu që nuk e di këtë," tha deputeti.
Ai e quajti një akt hipokrizie ofertën e mëvonshme të mazhorancës, e cila, erdhi vetëm pasi opozita mblodhi firmat e nevojshme. "Mbasi patë që u mblodhën firmat, dolët u bëtë bujarë," ironizoi ai.
Në përfundim, deputeti i bëri thirrje mazhorancës që ta mbyllë atë që ai e cilësoi si "farsë të radhës" dhe të kalojë menjëherë në procesin e votimit.
Edi Paloka:
"I kemi zbatuar këto marrëveshje dhe anasjelltas. Sa ka qenë Fatos Nano kryetar i Partisë Socialiste.
Që në momentin që ka ardhur udhëheqësi juaj në krye të partisë tuaj dhe të qeverisë, këtë që po them nuk e kam vetëm me ju, në fakt e kam dhe me kolegët e mi.
Ju kam bërë të qartë edhe kolegëve, edhe dje, jo më larg se dje, prisni që Edi Rama të zbatojë marrëveshje xhentëlmenësh. Kjo është... Domethënë, të jemi kaq naivë që të presim nga një qenie si Rama të zbatojë marrëveshjet e xhentëlmenëve? Po kjo është kulmi i naivitetit, në rastin më të keq.
As nuk presim dhe kush ka iluzione që këta këtej, që zbatojnë urdhrat e Ramës, do të zbatojnë ndonjë marrëveshje xhentëlmenësh. Ky parlament ka mbaruar me kohë, nuk ka asnjë vlerë.
Ju që merrni urdhra këtej e këta që marrin urdhra andej, nuk zbatohet as rregullorja, as ligjet, as kushtetuta dhe ne presim ne që ju zbatoni marrëveshje xhentëlmenësh.
As nuk duhet ta zgjasim më këtë diskutim. Këtu është e qartë që nuk ka marrëveshje, nuk ka asnjë rast tjetër të ketë ndodhur në këtë parlament që të luhet me këtë mënyrë, jo po keni dhënë firmat ju.
A dolët dhe thatë, ja kemi lënë opozitës. Kemi ardhur ne, edhe me një kandidat, s'e keni pranuar.
Edhe prapë po të vinim me një kandidat, prapë s'do e pranonit. Dhe nuk ka budalla këtu që nuk e di këtë.
Mbasi patë që u mblodhën firmat, dolët u bëtë bujarë, ju thatë, ja do t'ia lëmë ne opozitës. Nuk ka iluzione fare. Kështu që mbylleni këtë farsë të radhës, kalojeni në votim, për mua, edhe të vazhdojmë".
© SYRI.net