Mehmeti: Shqipëria po humb 'trurin', arsimi i dobët po shkatërron të ardhmen e të rinjve

20:54, 10/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fenomeni i largimit të të rinjve nga Shqipëria ka marrë përmasat e një hemorragjie kombëtare. Shifrat janë alarmante: sipas të dhënave të INSTAT, që nga viti 2011 janë larguar rreth 450,000 të rinj. Por përtej atyre që kanë ikur, problemi më i madh qëndron te dëshira e theksuar për t'u larguar që ekziston te grupmosha 18-30 vjeç, përfshirë profesionistët e rinj dhe shtresën e mesme, të cilët nuk e gjejnë më veten në vendin e tyre.

I ftuar në emisionin "Kush Paguan", Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit parauniversitar dhe lektor në Departamentin e Edukimit dhe Anglishtes, shprehu shqetësimin për gjendjen kritike të sistemit arsimor shqiptar, i cili po dëmton të ardhmen e të rinjve dhe po nxjerr një shoqëri të pafuqishme për t’u përballur me sfidat globale.

Mehmeti theksoi se të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria, jo vetëm për shkak të kushteve ekonomike, por dhe për shkak të arsimit të dobët dhe mungesës së mundësive për zhvillim profesional.

Ai theksoi se, pavarësisht se shumë të rinj shqiptarë përfundojnë studimet jashtë, ata nuk janë të përgatitur për sfidat e një bote gjithnjë e më të digjitalizuar, duke krijuar një humbje të rëndësishme të “trurit” dhe energjisë rinore për vendin.

Pjesë nga deklarata:

Që nga viti 2011 deri më sot, sipas vetë INSTAT-it, janë larguar 450,000 të rinj. Problemi më i madh është se ka një dëshirë të theksuar për t'u larguar. Jo vetëm ata, por edhe një grup tjetër, ata që ne i quajmë profesionistët e rinj, shtresa e mesme, që së bashku me familjet e tyre nuk e gjejnë veten këtu. Kemi diskutuar disa herë për faktin se shërbimi ynë arsimor është i dobët, nuk është cilësor, kemi shërbim të dobët shëndetësor, dhe një infrastrukturë jetese që është në kushte të vështira. Kemi humbur prej vitesh meritokracinë. Duhet të jesh dikush i dikujt, të japësh para, të kesh mbështetje politike dhe financiare. Nuk preferohen më ata që janë profesionistë të mirë, por ata që janë të lidhur me biznesin dhe qeverinë, sepse bizneset e tjera kanë probleme shumë të mëdha që i dinë vetë. 

Nuk garantojmë dot faktin që fëmija ynë të rritet në këtë vend dhe të kuptojë se ka mundësi  si ato të bashkëqytetarëve të tij, në vendet ku ne duam dhe themi se do të shkojmë në Europë.

A ka dhe vende të tjera që kanë probleme? Po, padyshim që ka. Por ne nuk jemi si Serbia, ku thithen 430 milionë euro nga BE-ja për arsim. Ne nuk i thithim dot këto para. Po ashtu, ne nuk jemi si Greqia, që ndalon dhe vë përpara përgjegjësisë ata që kanë vjedhur fondet e fermerëve. Çfarë prodhojmë ne? Shumë prej të rinjve, përfshirë ata që shkojnë jashtë, janë pozicionuar mirë në punë, ata që kanë mbaruar arsimin këtu. Diplomët e mjekësisë janë ata që vlejnë më shumë në momentin...

Po, sado i dobët të jetë arsimi, nga sa duket, ata që dalin... po të vëni re, ne vuajmë nga një grup i paaftë që është në çdo fushë. Çdo fushë. Nuk dua t’i etiketoj dhe të them 'janë', por ne e dimë që kemi mjekë që janë problematikë, kemi mësues që janë problematikë, pedagogë që janë problematikë. Nuk kemi pse e fshehim këtë. Po ashtu, kemi edhe mësues dhe profesionistë të tjerë shumë të mirë. Çështja është që shqetësimi më i madh që qëndron, është ky:

Ne nuk po rrisim dot një të ri që ka mendim kritik. E kemi diskutuar edhe më herët. Jemi vendi i fundit në këtë aspekt. Nuk po rrisim fëmijë që kanë një infrastrukturë digjitale dhe që janë të aftë për sfida, sepse sfidat tani janë globale, nuk janë rajonale, nuk janë vendore.

Nuk është se duhet të kesh probleme me hartën e qytetit të Tiranës. Duhet të kesh probleme me hartën e profesioneve, të mendimit dhe të ideve që ka gjithë rajoni, gjithë Europa. Duhet të mundesh të bashkëpunosh dhe të trajnosh online me ata që janë në Pragë, për shembull. Po si mund ta bësh këtë? Nuk di gjuhën, nuk di përdorimin e teknologjisë, nuk je i përditësuar me risitë që kanë dalë.

Sipas Eurobarometrit dhe Eurostatit, rinia shqiptare ka vetëm 20% aftësi dixhitale, jo vetëm për të përdorur celularin, por për t’u integruar në teknologjinë moderne.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco