Topalli – mazhorancës për Avokatin e Popullit: Pushteti e kupton ligjin vetëm si formalitet që i shërben vetes

Topalli – mazhorancës për Avokatin e Popullit: Pushteti e kupton ligjin vetëm si formalitet që i shërben vetes

15:55, 09/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një reagim të fortë publik, deputetja e PD, Jozefina Topalli, ka kritikuar mënyrën se si mazhoranca po e çon përpara procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pavarësisht tërheqjes së disa firmave të deputetëve të opozitës.

Topalli e cilëson veprimin e shumicës si shkelje të hapur të procedurave dhe si një tentativë për të emëruar një figurë të kontrolluar nga pushteti, duke ngritur pikëpyetje mbi pavarësinë dhe legjitimitetin e institucionit.

Reagimi i Topallit:

Sot nuk po diskutojmë më për Avokatin e Popullit, por për mënyrën se si pushteti e kupton ligjin: si formalitet që zgjat deri sa t’i shërbejë, e hidhet tej sapo nuk i duhet më.

Disa deputetë kanë tërhequr firmat. Kjo, në çdo parlament normal, do të thoshte ndalim i menjëhershëm i procesit dhe rihapje e procedurës. Por jo këtu. Këtu mazhoranca vendos të ecë përpara sikur asgjë të mos ketë ndodhur, sepse kandidati është “i tyre” dhe ligji duhet t’i bindet vullnetit të PS-së, jo anasjelltas.

Ky nuk është vetëm një absurditet procedurial; është dhunim i vetë funksionit të Avokatit të Popullit. Si mund të mbrojë qytetarët një institucion që lind nga një proces i paligjshëm dhe i imponuar? Si mund të quhet i pavarur një kandidat që votohet me forcë, edhe kur bien firmat që e kanë sjellë këtu?

Sot PS nuk po voton një Avokat të Popullit. Po voton një avokat të pushtetit. Dhe ky është një mesazh i rrezikshëm: se ligji vlen vetëm kur firmat janë në favor të qeverisë — kur jo, shpërfillen. Ky është standardi i një pushteti që ka frikë nga çdo institucion i pavarur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco