Sekretarja për marrëdhënie me publikun në PL, Arla Merja, në foltoren e PD-së u shpreh se qeveria e ka kthyer Shqipërinë në një vend ku e ardhmja e rinisë nuk ka perspektivë dhe çdo premtim mbetet vetëm fjalë boshe.
Ajo denoncoi drejtësinë selektive, mungesën e politikave të qarta për të rinjtë dhe shkatërrimin e mundësive për një jetë të dinjitetshme, duke theksuar se rinia ka nevojë për mbështetje reale dhe jo për propagandë elektorale.
Merja theksoi se shqiptarët nuk do të heshtin më dhe se ndryshimi i vendit fillon nga vetë qytetari që guxon të ngrejë zërin për të ardhmen.
Fjala e saj:
Motra dhe vëllezër, përshëndetje. Sot, më 8 dhjetor, ne mblidhemi këtu në një ditë që në fakt duhet të ishte Dita e Rinisë, por prej vitesh është dita e premtimeve të harruara. Na thonë se rinia është prioritet, ndërsa realiteti tregon krejt tjetër gjë. Qeveria na quan të ardhmen e vendit, por na trajton si të panevojshëm. Për të rinjtë, ky vend ka mbetur një aeroport me vetëm një drejtim: ikjen.
Ndërkohë, qeveria vazhdon të na tregojë statistika suksesi, histori të mrekullueshme, tendera që rregullojnë gjithçka, konvikte që ekzistojnë vetëm në broshura, paga që rriten vetëm nëpër ekrane, por kurrë në xhepat e punonjësve. Na thonë se çdo gjë po shkon shumë mirë, ndërsa mjekët, mësuesit, qytetarët e lirë largohen, studentët protestojnë dhe familjet numërojnë ditët se si do t’ia dalin. Sa më shumë premtime, aq më e qartë bëhet se realiteti ynë është krejt tjetër. Çdo statistikë, çdo video, çdo fjalim na tregon se sa larg jemi ne nga ajo që na premtohet. Por pa merak: në tunelet e njëri-tjetrit do të sfondosen të gjithë, mos keni asnjë dyshim për këtë.
Çdo i ri që largohet është një dritë që shuhet, një mundësi që humbet dhe një e ardhme që na vidhet. Sepse ne nuk jemi sot këtu për t’u fotografuar, as për t’u numëruar. Ne jemi për të treguar se qytetarët nuk do t’i besojnë më propagandës. Jemi këtu sot sepse nuk duam më një vend ku e ardhmja pritet me frikë, por duam një Shqipëri ku e ardhmja ndërtohet me guxim. Sepse shpresa nuk është thjesht slogani i 8 dhjetorit, është beteja e çdo dite. Dhe këtë betejë nuk do ta fitojë më propaganda, por qytetari.
Shqipëria ka nevojë për guxim, dhe sot guximi jemi ne. Shqipëria ka nevojë për një zë, dhe ky 8 dhjetor është zëri ynë. Dhe ky zë, motra dhe vëllezër, kurrsesi nuk duhet shuhet. Le të mbajmë gjallë kujtimin e Azem Hajdarit dhe të mos dorëzohemi kurrë.
Ju faleminderit.
© SYRI.net