Foltorja e PD/ Minatori: Qeveria po shkatërron Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj për HEC, SPAK të hetojë

18:56, 08/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fjalën e tij në foltoren e PD-së, minatori Avdi Toshi denoncoi me emra të konkretë shkatërrimin e Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj nga HEC-i, duke e cilësuar një krim mjedisor dhe njerëzor.

Banori nga fshati Urdhall i Matit, akuzoi zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë Agim Hysën, Agon Malajn, Nesbedin Shehun, Blendi Klosin, Belinda Ballukun, kryeministrin Edi Rama dhe Bardhyl Muçekun, të cilin e identifikoi si “ekzekutorin” e projektit.

Toshi përshkroi pasojat shkatërruese të HEC-it: devijimin e lumit Flym për 22 kilometra, tharjen e dy lumenjve në një sipërfaqe prej 80 kilometrash katrorë, vdekjen e gjallesave, bletëve dhe bagëtive, si dhe largimin e rreth 8,000 banorëve nga pronat e tyre. Ai kritikoi ashpër institucionet, duke përmendur Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit për heshtjen e tyre, dhe kërkoi ndërhyrjen e SPAK për hetimin e “krimeve dhe vjedhjeve” në zonë.

Në përfundim, Toshi u zotua se komuniteti nuk do të dorëzohet, duke paralajmëruar se do të ndjekë çështjen deri në gjykatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe recitoi një peticion në vargje, duke theksuar lidhjen shpirtërore të banorëve me tokën e tyre të kërcënuar.

Pjesë nga deklarata:

Po marr në këmbë nga rrethi i Matit, veç me i thënë dy fjalë atij të gjatit. Jam Avdi Toshi nga fshati Urdhall i Matit, ish-minator në Batër Martanesh, ish-kryetar i fshatit Urdhall. Jam protestues prej shtatë vitesh për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj. Në emër të protestuesve të Zall-Gjoçajt, kam ardhur në këtë foltore për t’i denoncuar edhe njëherë këta hajdutë, këta kriminelë të qeverisë, siç janë: Agim Hysa, Agon Malaj, Nesbedin Shehu, Blendi Klosi, Belinda Balluku, Edi Rama, dhe Bardhyl Muçeku si ekzekutori i Edi Ramës dhe i Ballukut.

Këta, në bashkëpunim, kanë bërë dëgjesën publike në Rrëshen, duke firmosur kryeplakët e Mirditës për HEC-in e Zall-Gjoçajt. Kryeplakët e Mirditës i kanë hedhur në Zall-Gjoçaj dhe kanë firmosur për Zall-Gjoçajn. Kanë devijuar lumin Flym, 22 kilometra; katër kilometra janë në tunel. Janë më shumë se tuneli i Llogarasë. Kanë shkatërruar zonën e mbrojtur, Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj. Kanë hequr me vendim të Këshillit të Ministrave zonën ku është bërë HEC-i. Kanë futur në tuba dhe në tunele çdo pikë uji që rrjedh nga parku kombëtar. Kanë tharë dy lumenjtë, 80 kilometra katrorë, duke vrarë popullsinë, bletët, gjallesat e lumit, bagëtitë, duke larguar nga pronat 8,000 banorë.

Kanë thyer ligjin e pandemisë. Kanë thyer ligjin ndërkombëtar. Kanë lënë pa ujë dhe pa rrugë Gjoçajn, Melin, Zall-Gjoçajn. Secili prej tyre është pronar i një HEC-i në Mat. Prej gjashtë vitesh, asnjë media nuk ka shkuar në Zall-Gjoçaj. SPAK-u të hetojë krimet dhe vjedhjet e Zall-Gjoçajt. Nuk ka nevojë të shkoni në tunelin e Llogarasë; aty ka vetëm vjedhje, jo krime. Avokati i Popullit të mos jetë avokat i Edi Ramës. Kontrolli i Lartë i Shtetit po fle në gjumë. Paditë tona janë në zyrat e SPAK-ut dhe të Lezhës. Bardhyl Muçeku ka çuar Bledian Ferziun në Zall-Gjoçaj duke i treguar peshqit e ngordhur. Ne na padisin për prishje imazhi, për të na gjobitur në gjykatën e Lezhës.

Ne kemi lënë pasurinë tonë në rrugë prej shtatë vitesh. Presim nga SPAK-u arrestimin e tyre. Skandali i ujësjellësit është më vonë. Ne do të shesim shtëpinë dhe do të shkojmë deri në gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Po ju lexoj një peticion në vargje për Zall-Gjoçajn:

Është një vend ku kemi lindur, ta mbrojmë si shqiponja zogun në fole.
Është një zonë, një krahinë e jona, askush mos ta mbajë kokën mënjanë.
Të bëhemi bashkë, ta ruajmë vatanë.
Se ditë më të zezë nuk ka mbi dynja, kur vëllai ha veten me dy duar.

Është një zonë e pyjeve dhe e kepit; me heroizëm i kemi bërë pritë serbit.
Kryeplakët e fshatrave kanë shkuar në ankim:
“Mos na e thani lumin Flym.”
Se lumi Flym është Matjan; 15 fshatrave mirëmëngjes ka me u thënë.
Dhe asnjëherë s’do thotë “Mirdita”, se e ka burimin nga Selita.
Është ujë i pijshëm, nuk është për drita.
Me ankesë vajti dhe bleta; pa ujë u nda nga jeta.

Është një krahinë me kulla të bardha, ka bërë luftë me shtatë krala.
Nëse je shtet, kral…

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco