Në Ditën Kombëtare të Rinisë, më 8 Dhjetor, PD mbajti foltoren e radhës para Kryeministrisë. Loranca Hoxha, aktiviste mbajti fjalën e saj në foltore, ku u shpreh se qeveria po përdor korrupsionin dhe propagandën për të fshehur skandalet, ndërsa nxënësit përballen me kushte të vështira në shkolla.
Hoxha solli si shembull tronditës fshatin Domen, ku mësimi zhvillohet në një shtëpi të rrënuar, pa dërrasë të zezë, pa ngrohje, me banka të thyera dhe me tualete pa derë në fund të oborrit.
‘E ndërsa nxënësit e Domit kanë ftohtë, ministrat ngrohin portofolet e korrupsionit qeveritar,’ deklaroi Hoxha, duke e cilësuar këtë si absurdin e Shqipërisë së vërtetë.
Deklarata:
Sot është 8 dhjetori, Dita e Rinisë. Dhe Dita e Rinisë është dita e shpresës. Sot dua të jem zëri i nxënësve të fshatit Domen, ku mësimin e zhvillojnë në një shtëpi të rrënuar, pa dërrasë të zezë, pa ngrohje, me banka të thyera dhe me tualete pa derë në fund të oborrit. E ndërsa nxënësit e Domit kanë ftohtë, ministra djella ngroh portofolet e korrupsionit qeveritar.
Ky është absurdi i Shqipërisë 3D dhe Shqipërisë së vërtetë që jetojmë ne. Jam në politikë për rininë, për vetminë institucionale që të rinjtë përjetojnë gjatë shkollimit, në nisjen e karrierës dhe krijimin e familjes. Shumë prej tyre detyrohen të heqin dorë nga ëndrrat ose të largohen jashtë për t'i shpëtuar qeverisë së korruptuar. Vetëm në Tiranë janë plagosur deri edhe në humbje jete 110 nxënës shkollash. Askush nuk flet, askush nuk reagon, sepse mësuesit, drejtorët as paguhen me dinjitet, as trajtohen me dinjitet.
Arsimi ka kaluar në plan të dytë dhe partia në plan të parë. Arsimit i mungon një politikë kombëtare. Nuk ka standarte, nuk ka manual, nuk ka vizion, për një brez që jeton mes teknologjisë së avancuar dhe realitetit të prapambetur të Shqipërisë. Dhe me thirrjen e poetit tonë të dashur Migjeni: Pak dritë, pak dritë, pak dritë. O shok, o vëlla, të lutem, pak dritë o rini. Pak dritë, pak fuqi. Se vetëm rinia mund të rrëzojë këtë regjim të korruptuar. Unë jam Loranca Hoxha dhe jam këtu mbështetje për çdo të ri, për çdo ide, për çdo denoncim që buron nga të rinjtë.
Rroftë Shqipëria! Forca rinisë!
© SYRI.net