Kaso: Opozita e bashkuar do të garantojë zgjidhje konkrete në reformën zgjedhore

12:37, 06/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Debati për reformën zgjedhore është rindezur, teksa opozita e bashkuar ka shprehur vullnetin për t'u angazhuar në diskutime serioze për të adresuar problematikat madhore të proceseve elektorale në vend. Përfaqësues të saj theksojnë se do të jenë propozues aktivë në tryezën e reformës, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështje që cënojnë standardet demokratike.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në Edicionin e Mesditës, u shpreh per moderatorin Bled Marku se, Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë vullnetin që të jenë prezente në çdo tryezë, ku diskutohet seriozisht për problemet e mëdha të zgjedhjeve. Ai theksoi  që opozita të jetë proaktive në këto tryeza, duke dhënë zgjidhje konkrete për çështjet kryesore si shkrirja e shtetit me interesat e mazhorancës, ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, lumenjtë e parave të pista, korrupsioni dhe intimidimi masiv, të cilat raporti i ODIHR-it i ka cilësuar si probleme të rënda për zgjedhjet në vend.

Sipas Kaso, deri më tani, komisioni i reformës zgjedhore ka zhvilluar vetëm dy mbledhje, ku është dakordësuar lista e temave për diskutim, përfshirë ndryshimet e njëanshme të sistemit zgjedhor, çështjen e koalicioneve parazgjedhore, shtetin elektoral dhe të gjitha problematikat që prekin opozitën. Ai nënvizoi se qëllimi është rikthimi i barazisë së fushës së lojës, duke siguruar që në zgjedhjet e ardhshme të shmangen praktikat e pabarabarta dhe manipulimet që i pengojnë standardet demokratike në vend.

Pjesë nga deklarata:

Atëherë, siç e kam thënë disa herë dhe përfitoj nga rasti ta ripërsëris këtu te ju. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar ka vullnetin që të jetë prezente në çdo tryezë, ku diskutohet seriozisht për problemet e mëdha të zgjedhjeve. Qofshin këto tryeza të reformës zgjedhore, qofshin këto tryeza të tjera. E rëndësishme është që ne në këto tryeza të jemi propozitiv, pra të japim zgjidhje për problemet e mëdha që kanë zgjedhjet. Pra, shkrirja dhe bërja e një shteti, shteti elektoral në funksion të marrjes së rezultatit të mazhorancës. Krimi i organizuar që ndërhyn drejtpërsëdrejti në zgjedhje, lumenjtë e parave të pista të drogës, të korrupsionit, të cilët vërshojnë masivisht për të blerë zgjedhje, intimidimi dhe gjithçka tjetër që raporti i ODIHR-it ka theksuar si probleme të rënda të zgjedhjeve.

Deri më tani, nga momenti kur është ngritur komisioni i reformës zgjedhore, përveç mbledhjes së parë të konstituimit të këtij komisioni, ka patur edhe një mbledhje tjetër, në të cilën janë dakordësuar temat për të cilat palët do të bisedojnë dhe do të japin jo vetëm argumentet e tyre, por edhe zgjidhjet mbi tryezë.

Ajo është një çështje që e prek reformën zgjedhore, por sigurisht nuk është çështja e vetme. Dhe është njëra nga pikat sigurisht. Por ne do të qasemi në këtë tryezë duke dhënë zgjidhje dhe tashmë, në kalendarin e punimeve që kemi miratuar me konsensus në mbledhjen e kaluar, është rënë dakord që do të preken të gjitha temat. Pra, duke filluar nga çështja e sistemit, i cili u ndryshua në mënyrë të njëanshme, duke ndërhyrë në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme me vota të blera; te çështja e koalicioneve parazgjedhore; te çështja e shtetit elektoral; dhe te gjithçka tjetër që prek opozitën. Ky është sensibiliteti ynë për të gjetur zgjidhje në mënyrë që fusha e lojës së pabarabartë që citon ODIHR-i, e cila është shkaku kryesor i moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve me standarde në Shqipëri, të mos jetë më në zgjedhjet e ardhshme.

Sigurisht, në këtë tryezë ne kemi në dorë të japim propozime të pjekura dhe të japim konsensus kur zgjidhjet janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i japin vërtet zgjidhje propozimeve.

Sigurisht, ne nuk kemi votat për ta bërë të vetëm reformën. Pra, nuk do të thotë që Partia Demokratike propozon dhe e ka vetëm ajo në dorë për ta miratuar këtë zgjidhje në kodin zgjedhor ose në ligjet e tjera. Por e rëndësishme është që ne ulemi në këtë tryezë me seriozitet maksimal për t’i dhënë zgjidhje problemeve të vërteta. Do të gjejmë konsensus ose jo nga Partia Socialiste, e cila, po ashtu si ne, ka të drejtën e vetos, dhe për këtë reformë nuk mund ta them tashmë, sepse është ende herët.

Interes elektoral sigurisht nuk ka. Çështja është që tashmë është në qendër të vëmendjes së partnerëve evropianë, të partnerëve amerikanë dhe të atyre që monitorojnë zgjedhjet, pra të ODIHR-it. Çështja është rikthimi i fushës së lojës së barabartë, e cila sot është e pabarabartë. Dhe për të arritur këtë objektiv, të cilin na e imponojnë dokumentat ndërkombëtarë dhe standardet ndërkombëtare, është e rëndësishme dhe e detyrueshme që të rikthehemi mbi ato gabime që janë bërë, po them, nga opozita, sepse opozita nuk e dha konsensusin as për heqjen e koalicioneve, as për ndryshimin e sistemit zgjedhor, të cilat u bënë në mënyrë të njëanshme me votat e blera në Parlament. Po për të rregulluar këto problematika shumë të rënda, të cilat më pas do të na japin mundësi që, nëpërmjet përmirësimeve të tjera ligjore në kodin zgjedhor, të kthejmë atë që është objektivi ynë kryesor, pra fushën e lojës, ta kthejmë të barabartë.

Mund ta rregullojë, mund ta blejë këtë imazh duke dhënë favore të tilla, të cilat mund të kënaqin një interes të momentit, qoftë edhe të vendeve partnere, të cilat vuajnë nga flukset migratore dhe e kanë problem. Por gjithsesi nuk mund t’i shërbejë pastrimit të imazhit të kryeministrit, kjo heqje e tij gjoja si globalist dhe gjoja si humanist.

Kur kujtojmë se humanizmi, në qoftë se do ta kishte ky kryeministër, qoftë në dimensionin e tij njerëzor, qoftë në dimensionin e tij politik, do të duhej ta kishte treguar së pari me qytetarët e vet, të cilët ka bërë ç’është e mundur që nëpërmjet politikave të tij të zbojë rreth 1 milion shqiptarë përgjatë 13 viteve në drejtimin e vendit. Nuk mundet që befas të shfaqet si humanist i madh në momentin që një konjukturë politike e momentit kërkon që Shqipëria të bëhet ajo që, për fat të keq, të jetë në një hambar pritjesh ose hambar qendrash pritjeje për emigrantë jashtëligjshëm.

Atëherë, rreziqet janë të jashtëzakonshme, pasi nuk kemi, pavarësisht se kryeministri u betua dhe u stërbetua që marrëveshja me Italinë do të ishte e vetmja që lejonte që emigrantët të vinin në Shqipëri, përsëri ai u zotua që, në bashkëpunim me shtetin italian, masat e sigurisë do të ishin të tilla sa të bënin të pamundur depërtimin e emigrantëve të paligjshëm që do të strehoheshin përkohësisht në Shqipëri, në jetën normale të komuniteteve në Shqipëri.

Kjo falë një regjimi të ngjashëm me regjimin e burgut të Guantánamos, i cili tashmë është edhe objekt i shqyrtimit në gjykatat ndërkombëtare, përsa i përket trajtimit të këtyre emigrantëve në qendrat e Gjadrit, të cilat u ngritën në bashkëpunim me qeverinë italiane. Qendrat që supozohet të ngrihen janë të natyrës krejt tjetër. Pra, janë në mes të komuniteteve, nuk janë ambiente të izoluara. Janë ambiente që përdoren për përdorim sportiv, shëndetësor e të tjera.

Pra, imagjinoni, për shembull, spitalin e Përmetit, ku gjysma e spitalit do t’i dedikohet qytetarëve të Përmetit dhe zonave përreth në funksion spitali, dhe gjysma tjetër do të jetë qendër pritjeje për emigrantë. Pa asnjë lloj mase sigurie, pa asnjë lloj kapaciteti. Nuk po them akomodim, sepse ndoshta akomodimi mund t’ua zgjidhin, por ruajtja dhe siguria që emigrantët e jashtëligjshëm nuk do ta përdorin këtë qendër strehimi si pikë tranziti e përkohshme më pas për të depërtuar nëpërmjet Shqipërisë në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, siç ka qenë qartësisht edhe synimi i tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco