‘Koçiu mohon atentatet, shoferi i bandës punonjës i saj’/ Balliu: Rinasi, arenë ekzekutimesh

16:44, 11/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka reaguar pas atentanit mafioz në rrethrrotullimin e Rinasit, ku Gilmando Dani mbeti i vdekur dhe Muçi Shaljani (Sheqeri ) ndodhet në gjendje të rëndë të Trauma.

Në një dalje për mediat nga selia blu, ligjvënësi Klevis Balliu tha se Rinasi po shndërrohet në arenë ekzekutimesh, ku shteti i bandave ka zëvendësuar shtetin e ligjit.

Sipas Balliut, ky akt kriminal i përsëritur, është provë e qartë e kolapsit të sistemit të sigurisë kombëtare dhe e dështimit të plotë të qeverisë për të garantuar rendin publik.

Për deputetin Balliu, Partia Demokratike ka paralajmëruar prej kohësh se bandat kriminale kanë kapur çdo qelizë të shtetit shqiptar, duke kontrolluar ekonominë, tenderat, zgjedhjet dhe tashmë edhe territorin.

‘Kjo është pasojë direkte e një qeverisjeje që ka zëvendësuar profesionistët me militantë dhe besnikë politikë, që i sigurojnë Edi Ramës vazhdimësinë e pushtetit përmes pastrimit të parave, trafikut të narkotikëve dhe vjedhjes së votave’, theksoi Balliu.

DEKLARATA E DEPUTETIT TË PD, KLEVIS BALLIU

Një atentat mafioz, me një të vrarë dhe një të plagosur, ka ndodhur sot në mesditë në Rinas, pak metra larg aeroportit dhe komisariatit të policisë, në një pikë nevralgjike që konsiderohet ndër më të sigurtat në Shqipëri.

Ky akt kriminal i përsëritur, në territorin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit, është provë e qartë e kolapsit të sistemit të sigurisë kombëtare dhe e dështimit të plotë të qeverisë për të garantuar rendin publik.

Pak minuta pasi ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaronte në Kuvend se “Shqipëria nuk ka atentate mafioze” dhe “nuk ka lidhje të krimit me Policinë e Shtetit”, ndodh pikërisht një atentat në zemër të Shqipërisë, ku vërtetohej e kundërta.

Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, kreu i një prej bandave më famëkeqe në vend, i cili mbeti viktimë e atentatit, kishte si shoqërues Muçi Shaljanin, që mbeti i plagosur. Ky i fundit, veç detyrës si shofer i bandës, mbante edhe detyrën e agjentit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pra, nëpunës i zonjës Koçiu, çka fakton edhe lidhjet e ngushta të policisë me krimin.

Kjo përbën një mohim flagrant të realitetit dhe një përpjekje të turpshme për të fshehur dështimin e institucionit që ajo drejton.

Aeroporti i Rinasit është një objekt me rëndësi të veçantë kombëtare, i mbikëqyrur 24 orë nga policia, forcat speciale, shërbimet e inteligjencës dhe institucionet e tjera të sigurisë.

Fakti që bandat kriminale kanë arritur të godasin në mënyrë të përsëritur në këtë zonë tregon se krimi ka marrë në dorë kontrollin e territorit, ndërsa shteti është kthyer në spektator të pafuqishëm.

Partia Demokratike e ka paralajmëruar prej kohësh se bandat kriminale kanë kapur çdo qelizë të shtetit shqiptar. Ato kontrollojnë ekonominë, tenderat, zgjedhjet dhe tashmë edhe territorin.

Kjo është pasojë direkte e një qeverisjeje që ka zëvendësuar profesionistët me militantë dhe besnikë politikë, që i sigurojnë Edi Ramës vazhdimësinë e pushtetit përmes pastrimit të parave, trafikut të narkotikëve dhe vjedhjes së votave.

Ndërsa kryeministri propagandon “suksese virtuale” në rrjete sociale, krimi i organizuar vijon të veprojë i qetë dhe i papenguar, duke e kthyer Shqipërinë në një shtet ku armët, tritoli dhe ekzekutimet mafioze janë kthyer në normalitet.

Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pranojnë më një shtet që është në shërbim të bandave, por të bashkohen në një front të përbashkët për rikthimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco