Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas ekzekutimit mafioz pranë Rinasit, ku mbeti i vrarë shtetasi Gilmando Dani dhe u plagos shoferi, Muçi Shaljani (Sheqeri) i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Blushi shkruar se atentati është një tjetër dëshmi tronditëse se krimi në Shqipëri ka dalë jashtë çdo kontrolli.
Sipas Blushit, duke goditur kur të dojë, ku të dojë dhe si të dojë, krimi po vë në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm.
‘Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i filozofisë së Qeverisë "pa krim nuk ka zhvillim", që në vend që ta luftojë krimin, e ka bërë pjesë të pandarë të pushtetit, ku edhe drejtësia është bërë palë me 251 drejtues dhe anëtarë bandash që i kanë lënë të lirë’, shkruan Blushi.
Statusi
Atentati mafioz pranë aeroportit “Nënë Tereza” është një tjetër dëshmi tronditëse se krimi në Shqipëri ka dalë jashtë çdo kontrolli. Ai godet kur të dojë, ku të dojë dhe si të dojë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm.
Kur armët e krimit flasin edhe pranë një institucioni të sigurisë së lartë kombëtare, aty ku masat parandaluese duhet të jenë më të larta, nuk bëhet më fjalë për një ngjarje të zakonshme kriminale, por për një alarm kombëtar.
Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i filozofisë së Qeverisë "pa krim nuk ka zhvillim", që në vend që ta luftojë krimin, e ka bërë pjesë të pandarë të pushtetit, ku edhe drejtësia është bërë palë me 251 drejtues dhe anëtarë bandash që i kanë lënë të lirë.
Sot, siguria e jetës nuk ekziston, sepse krimi nuk luftohet nga shteti, por e ka zëvendësuar atë.
© SYRI.net