Syri Tv ka siguruar detaje nga dosja hetimore për Tunelin e Llogarasë, ku komunikimet mes ish kreut të ARRSH Evis Berberi dhe përfaqësuesit të kompanisë holandeze “Hill International N.V", Ioannis Kirkinezis, ekspozojnë faktin se tenderi 2 milionë euro për supervizimin u përcaktua në kafe. Kushti që Berberi vendosi ishte që kompania “Hill International N.V” duhet të bashkëpunonte me kompaninë Net-Group” të Valter Begajt, bashkëpunëtor i Evis Berberit.
Syri TV
Inxhinieri Grek, Ioannis Kirkinezis, i cili rezulton të jetë në Shqipëri përfaqësuesi i degës së kompanisë hollandeze “Hill International N.V", është një nga dëshmitarët “kyç” të SPAK-ut në formësimin e akuzave penale të korrupsionit, shkeljes së pabarazisë në tendera ndaj zyrtarëve të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Kirkinezis, ka bashkëpunuar në SPAK dhe ka treguar gjithçka mbi tenderin 2 milion euro të hapur nga ministria e Belinda Ballukut, ku sipas tij njeriu që ka bërë pazarin është vartësi i Belindës, Evis Berberi.
Sipas rrëfimit të inxhinierit Grek, Evis Berberi, është dhe njeriu që ka bërë shkesin për lidhjen e “martesës” mes kompanisë së tij “Hill International N.V" dhe kompanisë “Net-Group” të Valter Begaj. Sipas tij tenderi është paracaktuar gjatë diskutimeve në kafe.
Përmes takimeve mes inxhinierit grek dhe drejtorit të ARRSH-së Evis Berberi, ky i fundit është kujdesur në detaje për paracaktimin e garës së hapur nga Ministria e Infrastrukturës.
Ndërsa nga ana tjetër letrat studimore për vlerësimin e kostos së përgjithshme i ka bërë pikërisht Ioannis Kirkinezis.
Syri Tv ka siguruar detaje nga mesazhet mes inxhinierit grek dhe Evis Berberit si dhe komunikimet me email.
Në bazë të një akti-ekspertimi të kryer në një aparat telefonik “BlackBery” ka rezultuar se 3 muaj para hapjes së tenderit Berberi dhe inxhinieri Grek në datën 27 gusht 2021, në orën 12:22, zhvillojnë këtë bisedë si më poshtë vijon:
Ioannis Kirkinezis i dërgon sms shtetasit Evis Berberi, me përmbajtje: “Përshëndetje! A ke ndonjë lajm për ofertuesin për mbikëqyrjen/supervizimin e Llogarasë? E pashë që kriteret janë shumë të forta. A mund të diskutojmë?".
Ndërkohë në orën 12:43, Evis Berberi: "..Ende jo, por së shpejti do të publikohet".
Në orën 12:44, Ioannis Kirkinezis: “A mund të flasim PARA publikimit (për kriteret)".
Pas je mesazheve të shkëmbyera Berberi dhe Inxhjinireri grek jane takuar në zyrat e ARRSH. ku kanë përcaktuar modulitetet që do bëheshin dhe mblesërinë me kompaninë shqiptare “NET Group”. Mbi të gjitha greku duhet të dërgonte dhe dokumentat e planit të supervizimit, të cilat do ishin falso tërësisht.
Komunikimi më pas ka vijuar me emaile mes Kinezis dhe Berberit, teksa ne daten 25 Tetor 2021, në orën 14:38, Evis Berberi i dërgon sms Ioannis Kirkinezis: "...Përshëndetje do të vazhdoni me NET Group...", si dhe i dërgon numrat celular të shtetasit Valter Begaj.
Në orën 14:51, Ioannis Kirkinezis i shkruan Berberit : "Ok faleminderit! Nuk Do t'a telefonoj". Në orën 15:09, Evis Berberi: "Është në rregull". Nga ana tjetër në orën 15:09, Ioannis Kirkinezis ia kthen Berberit: "...ok fola...ne do të shkëmbejmë disa e-maile me informacione dhe të martën do të takohemi personalisht për specifikat...".
Në orën 15:39, Evis Berberi ia kthen: "Ok".
Në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria holandeze "Hill Interantional" NV, me përfaqësues Ioannis Kirkinezis, në datën 28 dhjetor 2021 ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shoqërinë "Net Group" sh.p.k, me përfaqësues Valter Begaj, për të marrë pjesë së bashku në procedurën e prokurimit për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, ku në përfundim të procedurës së prokurimit janë shpallur fitues të saj.
I pyetur në lidhje me komunikimin e mësipërm, Ioannis Kirkinezis deklaron se gjatë bisedave të bëra, Evis Berberi i ka sugjeruar atij që të bashkëpunonte me shoqërinë e Valter Begaj, “Net Group”, përsa i përket tenderit të mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.
© SYRI.net