Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi në mbledhjen me kryetarët e degëve se Shqipëria ndodhet nën pushtetin e një “regjimi autoritar dhe grabitqar”, ndërsa opozita duhet të forcohet për ta përballur. Berisha theksoi gjithashtu se vendi po kalon një moment kritik ku “narkodiktatura kërkon mbi të gjitha guximin dhe vendosmërinë e opozitës”.
Ai u bëri thirrje demokratëve të analizojnë me ndershmëri gabimet e partisë, por edhe të forcojnë radhët përballë, siç tha ai, “pushtuesit më të egër që ka njohur ndonjëherë vendi”. Sipas Berishës, zgjedhjet e fundit ishin “një farsë e mirëorganizuar nga Edi Rama”, ndërsa opozita duhet të hapet dhe të afrojë vlerat që e bëjnë më të fortë në këtë “luftë për liri dhe demokraci”.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur kryetarë dhe kryetare të degëve të PD, të dashur demokrate e demokratë.
Në këtë analizë nuk kërkoj dhe nuk synoj në mënyrë absolute të mbulohet as dhe përgjegjësia më e vogël e PD, për situatën në të cilën jemi.
Edhe në mbledhjen e kryesisë edhe publikisht kam deklaruar se, pas publikimit të raportit ndërkombëtar për zgjedhje PD do të bëjë analizën. Do të bëjë analizën e punës së vet. Kjo është e domosdoshme.
Cilat qenë përpjekjet tona, cilat qenë defektet tona. Çfarë duhet të korrigjojmë, çfarë duhet të bëjmë. Por të gjitha këto janë të domosdoshme, veç se një gjë do të themi; diktatura, narkodiktatura kërkon mbi të gjitha guximin tonë.
Më vjen keq, por unë do të them ato që duhet që njeriu të thotë, të vërtetat që beson.
Para zgjedhjeve me dhjetëra e qindra herë unë kam deklaruar para jush se me Edi Ramën nuk ka votë të lirë, nuk ka zgjedhje. E kam thënë me bindjen më të thellë se absolutisht i dhunoi dhe i rrëmbeu zgjedhjet e 2021, 2023. Një njeri që nuk bën zgjedhje në partinë e tij, ai nuk pranon votën, pikë. Për të vota është krejtësisht e pavlerë dhe kjo është pastaj në shoqëri, kjo është e vërtëta.
Por kjo nuk mund të na pengojë ne të rishqyrtojmë dhe nuk do na pengojë, të gjithë veprimtarinë, të gjithë problematikat që kemi dhe në mënyrë të veçantë, ua them unë ju. Dhe kjo që u them është më e vështira për ta bërë, në këto kushte, është hapja dhe afrimi sa më shumë i vlerave të kësaj partie.
Kjo është jetike, kur je në betejë ti ke në detyrë, të shohësh se si mund të bëhesh më i fuqishëm, se si mund të përballesh me më sukses në këtë betejë. Jemi në luftë, unë ua them jemi në luftë me një armik të egër, me një pushtues të egër të këtij vendi.
Cilido që mendon ndryshe e ftoj ti analizojë këto, e ftoj ti analizojë një e nga një.
Ajo që ne arritëm. Arritëm të kemi një dokumentacion të plotë ndërkombëtar për këto që themi se duhet. Se nuk mund të flasësh vetëm.
Ju jeni dëshmitarë, u paraqitën te vdekura nga 4 rezoluta ndërkombëtare para se të zhvilloheshin. Po si ndodhi kjo? Se sigurisht, nëse ti shkon dhe shkon e arreston lidershipin e opozitës në vitin elektoral ti tregon se nuk do bësh zgjedhje, por do të marrësh me çdo kusht, me të gjitha mënyrat mandatin. Ndaj dhe të gjitha partitë politike të Europës dhe botës i denoncuan zgjedhjet pa u zhvilluar.
I quajtën farsë pa u zhvilluar. U zhvilluan, qëndruan vëzhguesit ndërkombëtar dhe unë shpreh mirënjohje, kanë patur presion direkt nga Edi Rama. Presion të jashtëzakonshme, por ata u qëndruan besnik të vërtetave që konstatuan.
Avoketër të narkoshtetit thotë që vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin kompetitive. Për të qeshur. Zgjedhje jo kompetitive janë zgjedhjet në monizëm. Aty nuk ka kandidatë të tjerë. Zgjedhjet me shumë kandidatë janë kompetitive. Por fushata e pabarabartë rrëzon gjithçka me këtë se, ai e thotë që zgjedhjet duhet të kenë fushë të barabartë.
Edi Rama bëri gjithçka që të rrëzojë raportin, dështoi. Raporti ka me vërtetësinë më të madhe në meritën e mbi 107 forcave politike të qendrës së djathtë që i denoncuan zgjedhjet para se të zhvilloheshin, të gjitha denoncimet që janë bërë në ato rezoluta janë në raport edhe absolutisht asnjë, se ata janë të ndikuar nga rezolutat, por se i panë me sytë e tyre. Panë me sytë e tyre realitetin e farsës zgjedhore në Shqipëri.
© SYRI.net