Nga Petrit Vasili/
Tani nuk ka më për askënd asnjë dilemë se Rama është krejt i pafuqishëm, totalisht i dorëzuar dhe një peng i vërtetë mes Ballukut dhe Veliajt.
Edhe qytetari më indiferent kujton më së miri se si, në rastin e Ahmetajt, Rama u tregua agresiv i madh, aq sa tha “shyqyr që nuk isha unë vetë SPAK, se do ta kishte shumë keq Ahmetaj”.
Po ashtu, në rastin e ministrit Koka apo në raste deputetësh që u ndoqën penalisht, Rama ka mbajtur qëndrim shumë të ftohtë dhe ka artikuluar tezën që “nuk ndërhyjmë te drejtësia”.
Ndërsa në rastin Veliaj e anatemoi shumë fort drejtësinë dhe tha bile që ajo ka dalë nga shinat e Kushtetutës; bile coi njerëz që protestuan përpara SPAK, madje penguan edhe prokurorët që të dilnin nga ndërtesa.
Ndërsa në rastin Balluku, jo vetëm që nuk pati standardin Ahmetaj, por daljet publike me zëvendëskryeministren, që po ndiqet penalisht, tregojnë se Balluku e ka plotësisht në xhep dhe do ta poshtërojë e do ta bëjë qesharak Ramën deri në fund.
Tashmë Shqipëria nuk ka kryeministër, por thjesht një person shumë të dobët, të kompromentuar plotësisht, të shantazhueshëm nga vartësit e vet dhe të trembur deri në palcë se mos ata vendosin të flasin për të dhe aferat me të, që janë vërtet të shumta dhe të rënda.
Ky është momenti i vdekjes politike të një kryeministri si Rama, sepse ka humbur mundësinë, aftësinë dhe të drejtën t’u imponohet vartësve të tij, gjë që në themel përbën edhe atë që quhet në politikë “autoritet kryeministror”.
Rama është pra qartazi peng i interesave të errëta dhe i një komprometimi shumë të thellë, që tashmë kuptohet më së miri se ka pasur si instrumente veprimi kryesore Ballukun dhe Veliajn.
Përfundimisht, mes Veliajt dhe Ballukut, Rama është thjesht një i vdekur që zvarritet.
© SYRI.net