Akuza të forta janë lëshuar në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme në parlament lidhur me lidhjet e krimit me strukturat e shtetit, duke vënë në pah një realitet të dyfishtë brenda Policisë së Shtetit.
Sipas deputetit të Partisë Demokratike Klevis Balliu, “ekziston një dallim i thellë mes efektivëve: nga njëra anë është policit që me pagën e tij nuk arrin të paguajë qiranë e banesës, dhe nga ana tjetër, një koleg i tij me të njëjtin post dhe pagë, zotëron një skaf me vlerë 200 mijë euro”. “Ky kontrast, sipas tij, buron nga një zgjedhje themelore: të jesh ‘polic i shtetit’ apo ‘polic i pushtetit’”.
Duke folur për luftën ndaj krimit të organizuar, ai e cilësoi si të papërfillshme shifrën prej 60 milionë eurosh pasuri të konfiskuara, duke e krahasuar me pasurinë vetëm të një grupi kriminal, që sipas tij kap vlerën e 8 miliardë eurove. “60 milionë euro, grupet kriminale i japin kesh vetëm për të blerë heshtjen,” u shpreh ai.
Më tej, akuzat u përqendruan te shtrirja e karteleve ndërkombëtare në Shqipëri. Duke cituar raporte ndërkombëtare, u theksua se kartelet shqiptare janë “numri një” në trafikun që shtrihet nga Ekuadori dhe Kolumbia deri në Evropë.
U ngritën pyetje retorike për mungesën totale të hetimeve për çështje me ndikim të lartë publik. “A është e vërtetë që karteli meksikan Sinaloa ka bërë investime në Shqipëri? Hetimet janë zero. A është e vërtetë që mafia italiane ‘Ndrangheta ka ardhur për të investuar 100 milionë euro, siç tregojnë përgjimet e Sky Edhe këtu hetimet janë zero”, përfundoi ai, duke denoncuar një heshtje institucionale ndaj këtyre fenomeneve.
Klevis Balliu: Kemi policë me një skaf 200.000 euro e ndërkohë një polic tjetër me të njëjtën rrogë dhe me të njëjtin post nuk paguan dot shtëpinë me qera të fëmijëve të vet.
Pse ndodh kjo? Sepse njëri ka zgjedhur të jetë polic i shtetit dhe tjetri ka zgjedhur të jetë polic i pushtetit.
Pavarësisht se janë në të njëjtin pozicion.
Apartamentet të cilat ju keni konfiskuar, se i thoni me krenari, zonja u thashë vetëm Çopjat janë 8 miliardë.
Ju keni bërë deklarime që këtu janë konfiskuar 60 milionë.
60 milionë ato jua japin kesh në qoftë se i doni vetëm për mos të folur.
Jemi nga Ekuadori, thonë raportet ndërkombëtare, Kolumbi, Evropë e deri në Shqipëri, kartelet e Shqipërisë janë numri një.
A është e vërtetë që janë bërë investime nga Sinaloa në Shqipëri?
Çfarë hetimesh ka për këto? Zero.
A është e vërtetë që Ndrangheta ka ardhur të ndërtojë në Shqipëri me 100 milionë euro?
Janë përgjime të Sky.
Çfarë hetimi ka për këto? Zero…
© SYRI.net