Në një seancë të tensionuar të Komisionit për Çeshtjet e Brendshme në parlament janë hedhur akuza të rënda mbi Policinë e Shtetit, duke e cilësuar atë si një strukturë të kapur nga kartelet e krimit të organizuar. Gjatë fjalës së tij, deputetei Flamur Noka deklaroi, “se lidhjet e drejtuesve të policisë me grupet kriminale janë një realitet i ditur nga të gjithë qytetarët”.
Sipas tij, “në çdo qytet të vendit dihet se cili kartel ka emëruar drejtorin apo shefin e komisariatit përkatës”. Ai theksoi se ky është një realitet që nuk mund të fshihet me statistika të falsifikuara apo propagandë qeveritare, duke iu drejtuar ministres së Brendshme se fusha e saj e veprimit është kufizuar qëllimisht nga kryeministri, duke e lënë atë pa kompetenca reale mbi policinë.
Si provë kryesore për këto akuza, u përmend dosja “Metamorfoza”, e cila, sipas deputetit, është sjellë nga partnerët ndërkombëtarë dhe ka zbuluar funksionimin e një “narkoshteti” në Shqipëri. Dosja dokumenton një aktivitet të gjerë kriminal që është zhvilluar në kurriz të qytetarëve, ndërkohë që shteti shqiptar ka qenë inekzistent. “Na u deshën shtetet partnere që ta zbulojnë, sepse për shtetin tonë vrasjet dhe tonelatat e drogës do të vazhdonin pa u shqetësuar,” u shpreh Noka.
Duke konkretizuar akuzat, u përmendën emra specifikë të zyrtarëve të policisë. U pretendua se shefi i komisariatit të Vorës ishte në shërbim të plotë të “kartelit Xhafaj”, ndërsa një tjetër zyrtar, Uljan Spataraku, kishte marrë “kartabiankë” (leje të plotë) nga “karteli Çela” për të kontrolluar çdo gram droge që qarkullonte në qarqet e Elbasanit dhe Korçës.
Në fjalën e tij, deputeti kritikoi ashpër edhe heshtjen e ministres për krimet zgjedhore gjatë vitit të kaluar, duke argumentuar se ajo nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë fenomen që cenon rëndë demokracinë. Këto deklarata nxjerrin në pah një panoramë tejet shqetësuese për sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e institucioneve shtetërore.
Flamur Noka: Në çdo qytet të Shqipërisë po të shkosh, dinë të të thonë se këtë drejtorin e policisë, cili kartel e ka sjellë. Këtë shef komisariati cilit kartel e ka e ka emëruar dhe kujt kartel i shërben.
Ky është një realitet që nuk e mohon dot, sado statistika të falsifikoni, sado propagandë të bëni, unë nuk them ty. Pse nuk ju them juve zonjë? Sepse juve jua ka kufizuar kryeministri fushën. Me policinë nuk keni punë, adresat në gjendje civile merru, por po flas për policinë e shtetit.
Ky është një realitet.
Edhe kjo është, ky është një realitet që duhet ta pranojmë.
Tani ju flisni për raport me përpara, një vit përpara, dy vjet më përpara.
Analizën e shtetit ligjor në këtë vend dhe të gjendjes së policisë së shtetit jua bën thjesht dosja Metamorfoza që kanë sjellë partnerët.
A mundet dikush prej jush që nga kryeministri deri tek ju apo tek të tjerët poshtë t'ju shpjegojnë shqiptarëve si ka mundësi që gjithë ky aktivitet kriminal që është i dokumentuar në dosjen Metamorfoza, është zhvilluar në Shqipëri dhe në kurriz të shqiptarëve, të ligjit në të ligjit në vendin tonë dhe shteti jonë nuk ka ekzistuar. Na u deshën shtetet partnere që ta zbulojnë. Pse? Për shtetin tonë do ishin të gjithë, do ishin duke vazhduar vrasjet, siç janë, siç i lexojmë nëpër ato dekodimet që kanë dalë, do ishit duke vazhduar tonelatat e drogës, siç po vazhdojnë për shtetin shqiptar. Por, ajo është meritë e partnerëve, por ama thashë, nxori zbuluar policinë, nxori zbuluar drejtësinë dhe çdo gjë, pra, dosja Metamorfoze, Metamorfoza, tregoi që në Shqipëri ka një narko shtet, por tregoi dhe në Shqipëri që krimi i organizuar, kartelet vendosin edhe për jetën e qytetarëve. Ata caktojnë se kush do jetojë dhe kush do vritet.
Besoj që i keni parë të gjithë një për një.
Tani unë do të doja që zonja ministre të ishte pak e shqetësuar edhe për krimet zgjedhore.
Sepse kemi kaluar një vit zgjedhor.
Por jo siç e ndoqët të nderuar kolegë, zonja ministre as nuk belbëzoi asnjë germë për krime zgjedhore në këtë vend. Fare. Po pse? Po sigurisht, sepse çfarë do flasë? Do flasë për shefin e komisariatit të Vorës, i cili drekonte dhe darkonte me kartelin Xhafajt dhe që ishte në shërbim kokë e këmbë të kartelit dhe jo të ligjit dhe jo të shtetit. Do flasë për Uljan Spatarakun të cilit karteli Çela i ka dhënë ‘kartabjankë’ për të kontrolluar çdo gram drogës që hyn e del, qarkullon në Elbasan, në qarkun e Elbasanit dhe të Korçës….
© SYRI.net