Nga Alba Kepi
Më 13 nëntor, në Villa Pamphilj në Romë, zhvillohet samiti i parë ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Italisë. Ngjarja cilësohet historike, pasi dy vendet kanë marrëdhënie të ngushta kulturore, ekonomike dhe politike, por kurrë më parë nuk kanë organizuar një takim të këtij niveli.
Italia ka qenë porta kryesore e shqiptarëve drejt Perëndimit dhe një partner i pazëvendësueshëm për zhvillimin tonë ekonomik e politik. Shqipëria, ndërkohë, ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian, ndërsa Italia kërkon të rrisë ndikimin e saj në Ballkan dhe Mesdhe, veçanërisht në çështjen e migracionit.
Ky samit vjen në një kohë kur Roma po rikthen ambicien e saj për të luajtur rol udhëheqës në rajon, ndërsa Tirana kërkon mbështetje konkrete për integrimin europian dhe zhvillimin ekonomik. Pyetja kryesore është nëse Shqipëria hyn në këtë takim thjesht si partner simbolik i Italisë, apo si palë me vizion dhe interes të artikuluar kombëtar.
Në fushën e mbrojtjes pritet që Italia të ofrojë teknologji dhe kapacitete të reja për forcat detare shqiptare, përfshirë investime në infrastrukturën detare dhe trajnime profesionale. Kjo është një mundësi për modernizim, por kërkon transparencë, planifikim afatgjatë dhe shmangie të varësisë teknike.
Në sektorin energjetik, marrëveshjet fokusohen tek prodhimi i energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe lidhja energjetike nënujore drejt Italisë. Projekti paraqitet si investim strategjik, megjithatë lind një pyetje e domosdoshme: a do të përfitojë realisht konsumatori shqiptar, apo Shqipëria do të vazhdojë të jetë eksportuese energjie, ndërsa qytetarët paguajnë çmime të larta?
Migracioni është pjesa më e ndjeshme e agjendës. Planifikohen struktura të përbashkëta, trajnime dhe rritje e bashkëpunimit për kontrollin e kufijve. E kjo pikë duhet trajtuar me kujdes të veçantë për të mos e kthyer Shqipërinë në barrierë të Europës apo vend magazinimi për refugjatët, çka do të cenonte dinjitetin dhe sovranitetin kombëtar.
Në shëndetësi, Italia mbështet ngritjen e një reparti neonatologjie në Tiranë, një hap pozitiv, por krejtësisht i pamjaftueshëm përballë nevojave të sistemit tonë shëndetësor.
Në ekonomi dhe zhvillim, parashikohet krijimi i një platforme të re financiare për projekte infrastrukturore, si dhe ndërtimi i qendrës ExpoAlbania në Tiranë. Ky potencial zhvillimi kërkon institucione të forta, konkurencë të ndershme dhe politika që favorizojnë bizneset serioze, jo klientelizmin dhe projektet fasadë.
Italia rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por integrimi nuk është çështje deklaratash. Ai kërkon reforma konkrete, drejtësi funksionale, ekonomi të qëndrueshme dhe respekt të vërtetë të standardeve europiane.
Ky samit nuk është thjesht protokoll. Është test për të dyja palët: Italia synon të tregojë se mund të udhëheqë në rajon, ndërsa Shqipëria duhet të demonstrojë se është gati të ulet në tavolinë si partnere e barabartë. Për Shqipërinë, vlen të mbahet parasysh se marrëdhënia me Italinë është një pasuri strategjike. Por vlera e saj matet nëse dimë të negociojmë për interesin tonë kombëtar, të kërkojmë investime që krijojnë vende pune këtu, të mbrojmë burimet tona natyrore dhe sovranitetin ekonomik dhe të përfshijmë diasporën si aktor aktiv e jo vetëm statistikë.
Samiti i Romës mund të shënojë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por ai do të ketë vlerë vetëm nëse Shqipëria hyn në të me qartësi, e jo për propagandë egoiste lidershipi.
Ky samit i pari i këtij lloji zhvillohet pas dy eventeve pilastër në marrëdhënien mes dy vendeve. Nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë e Bashkëpunimit më 13 tetor 1995 e nënshkrimit të Partneritetit strategjik më 12 shkurt 2010. E pa harruar Paktin mbi emigracionin i 6 nëntorit 2023.
Samiti i Romës Melon-Rama do të zhvillohet në vilën qeveritare Pamphili.
© SYRI.net