Presidenti i sindikatës së artistëve, Jualian Kazazi denoncon shkarkimin e tij nga puna, duke e cilësuar si një akt të paarsyeshëm dhe hakmarrës për shkak të aktivitetit të tij sindikal. I ftuar në ‘Kafe Shqeto’, në Syri TV, ai tha se largimi nga detyra vjen pas një serie presionesh të vazhdueshme nga drejtues të Ministrisë së Kulturës, të cilat nisën menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të sindikatës një vit më parë.
Kazazi pohon se ka marrë një shkresë zyrtare nga drejtoresha Jehona Varfi për zgjidhjen e kontratës së punës, por në të nuk specifikohet asnjë arsye. Ai e lidh këtë vendim me kritikat e tij publike ndaj abuzimeve me fondet publike, duke theksuar se roli i sindikatës është pikërisht parandalimi i këtyre fenomeneve. Sipas presidentit të sindikatës, ky shkarkim është kulmi i një "lufte totale" që ka përfshirë pezullime, transferime dhe presione të pandërprera. Ai deklaron se që nga janari, ka marrë çdo muaj shkresa që synonin prishjen e kontratës kolektive dhe pengimin e funksionimit të sindikatës. Ai e përshkruan këtë si një sulm të drejtpërdrejtë nga krerët e Ministrisë së Kulturës, të cilët, sipas tij, kanë penguar sistematikisht vullnetin e anëtarëve të sindikatës.
Në një akuzë më të gjerë, ai pretendon se institucionet shtetërore nuk dëshirojnë artistë të mbrojtur ligjërisht, por "artistë skllevër". Për këtë arsye, sipas tij, mbahet i bllokuar prej vitesh miratimi i "Statusit të Artistit", i cili do t'u jepte atyre mbrojtje ligjore dhe dinjitet. Ai akuzon se artistët po përdoren thjesht "për fasadë" dhe për t'u përfshirë në komisione tenderimesh me qëllim "gllabërimin" e fondeve nga buxheti i shtetit.
Julian Kazazi: Nga dje, normalisht mora shkresën për të cilën bëra dhe një postim në rrjetet e mia sociale, zgjidhjen e kontratës së punës pa arsye. Dhe kjo është gjëja për të cilën më bën përshtypje, domethënë që kemi një urdhër për zgjidhjen e kontratës time të punës pa arsye. Nga zonja Jehona Varfi. Si duket herën e fundit u shqetësua shumë nga...
Sindikata këtë rol ka, të parandalojë abuzimet me fondet publike. Kështu që nëse kjo gjë i shqetëson, ne i themi që do vazhdojmë përsëri. Nuk ndalemi.
Faktikisht nuk e kisha menduar kurrë që do vinte një moment i tillë. Që normalisht nuk i përket çështjes time personale dhe kjo është një gjë për të cilën, as personale as profesionale. Kjo është një sulm, që në momentin që unë u zgjodha nga artistët, nga elita e artit shqiptar, nga përfaqësuesit e artit në të gjitha institucionet e artit kulturës, u zgjodha president i kësaj sindikate, një vit më parë. Që prej asaj kohe, ende pa marrë zbardhjen e vendimit të gjykatës për të cilin më njihte president zyrtarisht i kësaj sindikate, normalisht filluam pezullime, transferimet nga puna, presionet e vazhdueshme. U riktheva përsëri, se u pezullova nja një muaj e gjysëm, mora pagën mbrapsht, dhe filluam pastaj çështjet hap pas hapi që në janar me presione me heq dorë o nga sindikata o se në institucion, domethënë nga krerët e Ministrisë së Kulturës. Dhe normalisht vazhdoi hap pas hapi çdo muaj, çdo muaj, çdo muaj, dhe unë kam një sërë shkresash këtu që çdo muaj vetëm vinin nga një shkresë. Që kërkonin të prisnin kontratën kolektive, donin të pengonin sindikatën, janë mbajtur, është penguar vullneti i anëtarëve të sindikatës...
Për sa kohë nuk miratojnë statusin e artistit dhe ne kemi kaq vite që kërkojmë statusin e artistit, dhe unë këtë gjë e kam thënë dhe më herët. Që me statusin e artistit i japim një mbrojtje ligjore dhe dinjitoze artistëve. Këta nuk e duan dhe prandaj nuk e miratojnë statusin e artistit. Këta duan thjesht t'i përdorin artistët për fasadë, t'i përdorin artistët thjesht për t'i futur nëpër komisione tenderimesh dhe për të, thashë, për të gllabëruar siç thashë dhe herën tjetër ndonjë copës nga buxheti i institucionit, apo buxheti i shtetit shqiptar. Por për këtë duan t'i përdorin artistët. Domethënë thjesht artisti sot përballet me presione të ndryshme, nuk lejohet që jashtë orarit të punës të kryejë jetën e tij personale, duhet për çdo lloj gjëje të marri leje. Domethënë edhe për të bërë një aktivitet privat jashtë orarit të punës, në mes të natës, duhet prapë të marri leje, gjë për të cilën nuk i takon institucionit për sa kohë ligji shqiptar e përcakton qartë që ka mundësi që shtetasi shqiptar të bëjë edhe dy punësim duke paguar taksat. Ligji ja njeh, shteti s'ia njeh. Dhe kur flas shteti, flas këta titullarë për të cilët nuk e njohin ligjin dhe janë mbi ligjin dhe janë mbi shtetin.
© SYRI.net