Deputeti i Partisë Demokratike Arjan Ndoja ka lëshuar akuza të rënda mbi mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke denoncuar se ligje të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët po kalojnë pa debat, duke shmangur qëllimisht diskutimin parlamentar.
I ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, deputeti solli si shembull konkret miratimin e ligjit për barazinë gjinore, i cili sipas tij u kalua pa asnjë diskutim, pavarësisht se për të ishin regjistruar për të folur plot 47 deputetë. Ai theksoi se “nëse do të ishte lejuar debati, qytetarët shqiptarë do të kishin pasur mundësinë të dëgjonin për rreth tetë orë argumentet e përfaqësuesve të tyre për këtë projektligj”. “Nga 10 minuta për secilin, janë 470 minuta diskutim që u shmangën”, deklaroi ai.
“Kjo, sipas tij, nuk është një ngjarje e izoluar”, tha Ndoja në bisedë me moderatorin Flavio Qarri. Ai bëri një paralele me një tjetër ligj të diskutueshëm, atë për menaxhimin e mbetjeve. Sipas deputetit, edhe në atë rast u shmang debati, duke bërë që qytetarët të mos informoheshin se faturës fillestare prej 430 milionë eurosh do t'i shtoheshin edhe 700 milionë euro të tjera. Kjo kosto e shtuar, e kombinuar me fenomenin e shpopullimit, do të rëndojë drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve të mbetur, pasi fatura do të përpjestohet mes një numri më të vogël njerëzish.
“Është kosto e drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve. Po kjo u la pa debat. Përse? Sepse improvizohen skenarë”, u shpreh ai, duke aluduar se shmangia e diskutimeve është një strategji e qëllimshme për të kaluar ligje pa transparencë dhe llogaridhënie publike.
Në fjalën e tij, deputeti i është referuar edhe Nenit 73 të Kushtetutës, i cili i garanton çdo deputeti të drejtën për të shprehur mendimin e tij pa mbajtur përgjegjësi, përveç rasteve kur ka elementë të veprës penale të shpifjes. Ky denoncim vjen si një thirrje për respektimin e të drejtave parlamentare dhe procesit demokratik të legjislacionit.
Arjan Ndoja: Neni 73 i kushtetutës, e kam thënë dhe herë të tjera, po këtu s'po dihet gjë më, a duhet me fol si jurist, a duhet me fol si njeri pa shkollë. Nuk e di se çfarë duhet të them. Po neni 73 i jep mundësinë çdo deputeti që të flasë atë që mendon dhe nuk mban përgjegjësi për atë që mendon, përveç rasteve kur fjalët e tij i drejtohen një personi të caktuar dhe këto shkojnë në nivelin e një vepre penale siç është ajo e shpifjes. E thotë kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Në rast se individi x apo y konsideron veten, pra është në çmuarjen e tij personale, se ky është i fyer, kjo s'përbën rast për ndjekje penale. Nëse ndaj tij po shpifen, po thuhen gjëra të qëllimshme, të pavërteta, atëherë ai ka të drejtën që të bëjë një kërkesë me dëmtuar akuzues në gjykatën x apo y. Pra në rastin konkret, ky zelli për të mbrojtur ambasadorin e Bashkimit Europian.
Flavio Qarri: Për një gjë që e ka thënë vetë.
Arjan Ndoja: Për një gjë që e ka thënë vetë apo nuk e ka thënë vetë, janë deklarata në kuadrin politik që fare mirë njëra palë del, sqaron qëndrimin e saj dhe i kërkon dhe palës tjetër që ta përgënjeshtrojë. Në rastin konkret kur s'ka një reagim nga ana tjetër, në këtë drejtim, kush ku qëndron zelli që këta që e votuan ligjin për barazinë gjinore, këta që e kaluan pa debat, kanë qenë 47 persona të regjistruar për të mbajtur diskutim në atë seancë.
Ndërmjet të tjerëve kam qenë dhe unë. Nga 10 minuta, janë 470 minuta. Shqiptarët kanë pasur mundësinë që të dëgjonin rreth tetë orë pa 10 minuta, të dëgjonin mendimin e përfaqësuesve të tyre në lidhje me atë projektligj. Dhe e gjithë kjo gjë u shmang. Pra rastin e parë u shmang për ligjin për sistemin e menaxhuar të mbetjeve, ku shqiptarët nuk morën vesh nga përfaqësuesit e tyre që faturës 430 milionë euro do i shtohet dhe 700 milionë euro.
Ku shqiptarët, nga një numër x i caktuar tani janë pak më pak, gjë që është element shpopullimi, jo, është element i njohur botërisht, edhe me statistikat zyrtare të Instatit. Edhe kjo faturë do përpjestohet në më pak njerëz. Në më shumë lekë për njeri. Në më shumë lekë për njeri. Pra është kosto drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve. Po kjo u la pa debat. Përse? Sepse improvizohen skenarë. Tani atë qëndrimin tim publik, të parë kur kam thënë që unë e di që është prishur teatri kombëtar, njerëzit mendojnë që aty të kapësh ajo narrativa apo emocionet e sallës së kuvendit. Salla e kuvendit është një sallë me një impakt të jashtëzakonshëm për qytetarët, me rëndësi të madhe…
© SYRI.net