Procesi i votimit në Bashkinë e Matit është shoqëruar me tensione dhe shkelje të rënda të transparencës, pasi gazetarët e Syri TV nuk janë lejuar të futen në qendrat e votimit për të raportuar mbi ecurinë e procesit.
Sipas ekipit të terrenit të Syri TV, punonjës të administratës zgjedhore dhe persona të lidhur me strukturat e pushtetit lokal kanë penguar hyrjen e mediave në disa qendra, duke u përpjekur t’u mbyllin derën përpara se gazetarët të hynin brenda për të filmuar.
“Fillimisht na penguan, po tani nuk e dimë nëse do na lejojnë të futemi brenda. Po na e mbyllin derën... hape more vëlla, se media jemi!” – dëgjohet njëri nga gazetarët e Syri TV në transmetimin live nga vendngjarja.
Ky veprim, konsiderohet një përpjekje e hapur për të fshehur parregullsitë që po ndodhin në disa qendra votimi në Mat, ku janë raportuar raste të presionit ndaj votuesve dhe përdorimit të patronazhistëve për të mbajtur shënime mbi pjesëmarrjen.
Burime në terren pohojnë se dyshohet një tentativë për të zbatuar skemën e njohur si “treni bullgar”, përmes së cilës mund të tentohet kontrolli i votës dhe manipulimi i procesit.
Opozita ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet ligjzbatuese, duke theksuar se pengimi i mediave është një shkelje flagrante e ligjit dhe e të drejtës për informim publik.
© SYRI.net