Punonjës të administratës kapen duke ushtruar presion në qendrat e votimit, Vata: Po tentojnë të zbatojnë skemën e trenit bullgar

08:49, 09/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Procesi i votimit në Bashkinë e Matit është shoqëruar me tensione dhe denoncime të rënda për presion dhe intimidim ndaj votuesve dhe komisionerëve. Që në nisje, procesi hasi në probleme logjistike, si mungesa e procesverbaleve kryesore në shumë qendra votimi. Situata më problematike raportohet pranë qendrës së votimit 932-933, ku sipas raportimeve nga terreni, punonjës të administratës publike po ushtrojnë presion të vazhdueshëm.

Konkretisht, një punonjëse e sigurimeve shoqërore dhe dy punonjës të shëndetit publik, të lidhur me kandidatin për kryetar bashkie, akuzohen se po intimidojnë qytetarët dhe komisionerët. Sipas denoncimit, pranë kësaj qendre votimi, në një lokal në pronësi të familjarëve të komisionerëve të Partisë Socialiste, qëndrojnë patronazhistë, punonjës të administratës dhe deri tek drejtori i arsimit, të cilët mbajnë shënime për votuesit që hyjnë e dalin.

Deputetja e PD, Denisa Vata në një intervistë Live për Syri Televizion tha se avarësisht njoftimit të KZAZ-së dhe pranisë së policisë, nuk ka patur një reagim efektiv për ndalimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Vata i bëri thirrje Prokurorisë së Qarkut Dibër dhe Policisë së Shtetit që të reagojnë dhe të mos bëhen 'vegla të pushtetit'. Ajo e cilësoi këtë situatë si një tentativë për të organizuar skemën e njohur si 'treni bullgar' për manipulimin e votave.

Gjithashtu, u ngritën akuza se persona të caktuar po përdorin pajisjet e identifikimit elektronik (PEI) për të filmuar numrat rendorë të votuesve, me qëllim identifikimin e votës së tyre, çka përbën një shkelje të rëndë të fshehtësisë së votës dhe privatësisë. 

Pjesë nga deklarata:

"Fillimisht, fillimisht ka patur që mbrëmë ka patur problematika me pajisjen e dokumentacionit të duhur, ku në pjesën më të madhe të qendrave të votimit mungonin procesverbalet kryesore, siç janë ato procesverbali i hapjes së kutive të votimit, procesverbali i mbylljes së kutive të votimit, procesverbali i pajisjes PEI dhe disa gjëra të tjera, ndoshta jo kaq të rëndësishme sa procesverbalet, por ishin në mungesë.

Më pas sot ka filluar votimi në të gjithë qendrat e Bashkisë Mat. Unë këtu aktualisht jam tek qendra e votimit pranë çerdheve dhe kopshteve 932-933, mos gaboj me numrat.

Brenda ushtrohet presion nga punonjësja e sigurimeve shoqërore, Vjollca Balliu, së bashku me punonjës të shëndetit publik, ku janë mbartës të kandidatit për deputet në, më fal, kandidatit për kryetar bashkie në Bashkinë e Matit, sepse ai ishte drejtor i shëndetit publik dhe këtu janë dy punonjës të asaj drejtorie që po përpiqen të intimidojnë qytetarët, po përpiqen të ushtrojnë presion ndaj komisionerëve.

Na ka njoftuar komisionerët dhe kemi ardhur menjëherë, por ishte dhe KZAZ-ja, por e rëndësishme është të themi që këtu në, në, pranë qendrës së votimit është një lokal ku janë vetë pronarë, punonjësit e e, pjesë e familjarëve të komisionerëve të Partisë Socialiste që ndodhen këtu.

Është ky lokali këtu përballë, ku qëndrojnë patronazhistë, qëndrojnë punonjës të administratës, deri dhe tek drejtori i arsimit, që mbajnë shënime njerëzit që hyjnë dhe dalin.

Unë kam shkuar disa herë aty, unë i kam, kam njoftuar KZAZ-në të njoftojë policinë e shtetit. Ka ardhur dhe policia, por nuk është se ka patur ndonjë reagim. Janë të dy punonjësit e KZAZ-së që ndodhen këtu, ëh, dhe po përpiqen të qetësojnë pak situatën, por është e pamundur. Unë i bëj thirrje Prokurorisë së Qarkut Dibër, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, të mos bëhen vegla të pushtetit, por të reagojnë.

Në çdo qendër votimi ku të shkosh, ke grupe drejtorësh të bashkive, të bashkisë, të administratës publike që po përpiqen të intimidojnë qytetarët dhe po përpiqen të mbajnë shënime në qendrat e votimit. Kjo bëhet për arsye sepse po tentojnë të bëjnë trenin bullgar. Ne po përpiqemi me sa mundemi të, të, të luftojmë me ta, por është një makineri e tërë shtetërore dhe prandaj është edhe kjo thirrje.

Gjithashtu në disa, në disa ë qendra votimi, ë komisionerët e Partisë Demokratike më kanë njoftuar që ato persona që mbajnë pajisjet PEI përpiqen të, të, të filmojnë dhe t'jua çojnë ë patronazhistëve që që janë jashtë. Pra, përpiqen të filmojnë numrat rendorë të votuesve dhe në mënyrë që të identifikohen se kush ka votuar dhe kush jo. Kjo është, kjo është e tmerrshme. Kjo është thyerje e privatësisë. Kjo nuk, këto nuk janë rregulla. Dhe unë edhe njëherë gjej rastin të, të bëj thirrje qytetarëve të Matit, dilni votoni masivisht.

Dilni votoni masivisht dhe tregojeni revoltën tuaj me votë. Mos pyesni as për patronazhistë, as për punonjës të administratës, as për askënd që po përpiqet të intimidojë qytetarët matjanë".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco