Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, me anë të një reagimi në rrjetet sociale ndaj fluturimeve me charter të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si shenjë të luksit të tepruar dhe shkëputjes nga realiteti i qytetarëve shqiptarë.
‘Fluturimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës! Në një kohë kur bijtë dhe bijat e shqiptarëve çdo ditë gjejnë mundësinë të presin biletën e largimit nga Shqipëria për shkak të varfërisë e pasigurisë në vend, Edi Rama gjen mundësinë të bëjë katër udhëtime me charter brenda dhjetë ditësh,’ shkruan Këlliçi.
Sipas tij, ky ‘luks i pakontrollueshëm dhe distancim nga populli i thjeshtë’ është pasojë e politikave dhe mentalitetit personal të kryeministrit.
‘Shqiptarët prej tij shihen si qytetarë të dorës së dytë, për t’u sunduar dhe mbajtur në distancë. Legjitimitetin kryeministri e merr nga padronët e tij jashtë vendit, aty ku gatuhen politikat që shqiptarët i pësojnë dhe në vendimmarrjen për të cilat nuk marrin kurrë pjesë,’ thekson deputeti demokrat.
Këlliçi e akuzon Ramën se ndjek axhendat e organizatës Soros, ndërsa e lidh këtë me forume ndërkombëtare ku, sipas tij, kryeministri raporton për ‘zbatimin e axhendave të organizatës Soros për Shqipërinë dhe rajonin’.
‘Në kontekstin politik ndërkombëtar ku ndodhemi, organizata Soros është ekspozuar, diskredituar dhe shfuqizuar, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara e më tej në Europë. Është koha që edhe shqiptarët të presin fijet e ndikimeve të paligjshme në qeverisjen e vendit të tyre dhe të marrin në dorë fatet e veta,’ përfundon reagimi i Këlliçit.
© SYRI.net