Partia Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një seance dëgjimore me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, pas një serie ngjarjesh kriminale që kanë tronditur vendin.
Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, Klevis Balliu, theksoi se ministrja po shmang llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe institucioneve.
Sipas Balliut, ngjarjet e fundit, përfshirë vrasjet në rrugë mes grupeve kriminale, vendosjen e tritolit në banesën e një deputeti dhe ekzekutimin e gjyqtarit Astrit Kalaja, tregojnë një krizë të thellë të sigurisë dhe rendit publik në Shqipëri.
Ai shtoi se institucionet e shtetit nuk janë më të sigurta, ndërsa ministrja duket e fokusuar në çështje të tjera si ndalimi i pirjes së duhanit në zyra apo qarkullimi i patinave, ndërkohë që rrugët mbahen nga kartelet e drogës dhe strukturat kriminale.
Balliu kritikoi qeverinë për mungesë vullneti dhe aftësie për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për përpjekjet e saj për të mbuluar realitetin përmes fushatave propagandistike. Ai e konsideroi refuzimin e ministres për t’u paraqitur në Komision si një akt të papranueshëm institucional, që shfaq mungesë respekti ndaj Kuvendit dhe qytetarëve.
“Në mënyrë të palëkundur do të këmbëngulim që ministrja të paraqitet përpara Komisionit për të dhënë llogari mbi kolapsin e rendit dhe sigurisë publike,” deklaroi Balliu, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë pse shteti ka dështuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së tyre.
Balliu:
Në cilësinë e Nënkryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, bashkë me kolegët e mi, z. Flamur Noka, z. Isuf Çela dhe z. Fatmir Mediu, kemi paraqitur prej disa ditësh një kërkesë zyrtare për zhvillimin e një seance dëgjimore me ministren e Brendshme, lidhur me situatën alarmante të sigurisë në vend.
Ngjarjet e ndodhura kohët e fundit kanë tronditur çdo qytetar. Vrasjet e përsëritura në rrugë si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale, vendosja e tritolit në banesën e një deputeti të Kuvendit, ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja dhe mungesa e plotë e sigurisë në institucionet arsimore janë tregues se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë të rendit publik dhe të autoritetit të shtetit.
Kur edhe institucionet e shtetit nuk janë më të sigurta, atëherë qytetarët e zakonshëm janë lënë tërësisht në mëshirën e fatit.
Në vend që ta trajtojë këtë situatë me përgjegjësi dhe urgjencë, znj. Koçiu ka zgjedhur rrugën e propagandës – merret me ndalimin e pirjes së duhanit në zyra apo me qarkullimin e patinave, ndërkohë që rrugët e vendit janë të pushtuara nga kartelet e drogës dhe strukturat kriminale që sfidojnë hapur ligjin.
Kjo tregon qartë se qeveria nuk ka as vullnet dhe as aftësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Për ta, prioritet nuk është jeta dhe rendi publik, por ruajtja e imazhit përmes fushatave propagandistike që synojnë të fshehin realitetin dramatik në terren.
Refuzimi i ministres për t’u paraqitur përpara Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes është një akt i papranueshëm institucional. Ai tregon mungesë respekti ndaj Kuvendit, ndaj ligjit dhe, mbi të gjitha, ndaj qytetarëve që kërkojnë llogari pse në Shqipëri jeta është bërë e pasigurt, rrugët janë nën kontrollin e grupeve kriminale dhe shteti ka humbur autoritetin e tij.
Ne do të vijojmë të këmbëngulim në mënyrë të palëkundur që ministrja e Brendshme të paraqitet përpara Komisionit, me hir a me pahir, për të dhënë llogari mbi kolapsin e rendit dhe sigurisë publike në vend.
Shqiptarët kanë të drejtë të dinë pse shteti është tërhequr nga detyra e tij më themelore – mbrojtja e jetës dhe e sigurisë së qytetarëve.
© SYRI.net