Deputeti Luçiano Boçi, në fjalën e tij gjatë Konferencës së Kryetarëve, kritikoi ashpër mazhorancën për mënyrën sesi po menaxhohet debati parlamentar dhe për përpjekjet për të delegjitimuar opozitën.
Ai paralajmëroi se mungesa e kreut të grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, nuk mund të shndërrohet në arsye për tensione dhe se çdo sulm ndaj tij do të marrë një përgjigje të koordinuar dhe të vendosur nga opozita.
Gjatë fjalës së tij, Boci denoncoi devijimin e rregullores nga mazhoranca dhe përdorimin e procedurave në mënyrë selektive për të krijuar përshtypjen se problemet burojnë nga opozita. Ai nënvizoi se sjellja e kreut të grupit nuk është veprim individual, por pasqyron qëndrimet e të gjithë opozitës:
"Po na paraqisni sot ndryshe. Po luani me butësinë me qëllim për të nxjerrë sikur në këtë vend problemi për përplasje është Gazment Bardhi, i cili mungon sot. Fakti është që seanca dje nuk e prishi Gazment Bardhi, e prishet ju! Nuk është ai fajtor! Madje duhet reagim i fortë politik dhe njerëzor. Po nuk ndodhi kjo, ju do të vazhdoni ta bëni këtë. Fakti që unë dhe ti jemi më pak emocionalë, kjo nuk na bën burra më të mirë, as mua, as ty.
Ju, dje, as për procedurë nuk ma dhatë fjalën. Devijimi i debatit dhe keqinterpretimi i rregullores ishte arsyeja e revoltës sonë. Nuk pranojmë ta anatemoni kreun tonë të grupit. Sjellja e tij nuk është individuale; është përfaqësim i sjelljes tonë. Ne do të reagojmë fort. Dhe mos flisni sikur ne paskim gjuhë joetike. Kujt ia thoni këtë?! Unë jam afër jush. Ju nuk lini gjë pa share, pa mikrofon. Nuk lini fyerje pa përdorur. Na i lini këto viktimizime".
Në pjesën e dytë të fjalës së tij, Boci i bëri thirrje mazhorancës të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj Kosovës dhe të votojë Rezolutën për gjenocidin serb: “Po ju them këtu, në Konferencën e Kryetarëve, se javën tjetër do të votoni Rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Ne jo vetëm që do të marrim pjesë në protestë, por unë mund të mbaj fjalim atje.”
Ai u shpreh se nuk duhet të instrumentalizohet dhimbja e familjeve që kanë humbur të afërmit dhe se votimi i Rezolutës është një akt historik, jo një mjet politik: “Tregoni me veprime konkrete se e doni Kosovën, luftën, pavarësinë e saj dhe komandantët e saj, jo vetëm me fjalë e fjalime. ‘Scripta manent, verba volant’ — Rezoluta shkruan historinë, dhe votimi i saj na fut në histori, jo mitingjet partiake që e kthejnë historinë në rekuizitë për interesa politike.”
© SYRI.net