Sipas analistëve të ftuar në studion e Çim Peka Live, kryeministrit nuk i mjafton më thjesht gjunjëzimi i kundërshtarëve, medias apo shoqërisë civile; ai tani kërkon degradimin dhe poshtërimin e tyre publik. Kjo fazë e re shërben për të kënaqur egon e liderit suprem dhe për të demonstruar një fuqi të pakufishme, ku një shtet i tërë tërhiqet zvarrë për tekat e një njeriu.
Shembulli më flagrant është trajtimi i institucionit të Presidencës. Presidenti aktual nuk është thjesht i kontrolluar, por detyrohet të ndërmarrë veprime që e degradojnë atë dhe institucionin që përfaqëson, siç ishte kërkesa absurde për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo strategji e degradimit nuk është e re. Ajo u pa edhe në mënyrën se si u trajtua ish-presidenti Ilir Meta, i cili, megjithëse u paraqit vullnetarisht në SPAK, u tërhoq zvarrë nga policia në një shfaqje publike force.
Qëllimi i kësaj strategjie është i dyfishtë. Së pari, t'u tregojë kundërshtarëve dhe mbështetësve të tyre se kushdo që guxon ta sfidojë, do të poshtërohet. Së dyti, të degradojë vetë institucionet, duke i kthyer ato në instrumente të vullnetit të tij personal. Duke e detyruar presidentin të shkarkojë një gjyqtare kushtetuese 'sepse kështu i teket atij', Rama dërgon mesazhin se nuk ka ligj apo procedurë që mund të kondicionojë vullnetin e liderit maksimal. Është një shfaqje e fuqisë absolute që synon të shuajë çdo shpresë për një shtet funksional.
© SYRI.net