Analisti Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i ndërprerë mandatin anëtares së saj, Sonila Bejtja, pas një kërkese të presidentit Bajram Begaj.
Sipas Shkullakut, ky vendim tregon qartë se kryeministri Edi Rama nuk pranon që të ketë as edhe një zë kundër brenda sistemit.
‘Një pushtet si ky që kemi në Shqipëri do të shkojë gjithmonë e më shumë drejt intolerancës dhe zhdukjes së çdo lloj hapësire demokratike apo ‘pavarësie’, se s’ka pavarësi, por do të eliminojë çdo pushtet që mendon se mund t’i kundërvihet,’ tha Shkullaku.
Sipas tij, arsyet për këtë sjellje janë të njohura dhe mund të gjenden në librat që tregojnë sesi totalitarizmat degjenerojnë me kalimin e kohës.
‘Sonila Bejtja nuk i prish asnjë punë Ramës, siç nuk i ka prishur, por do të mjaftonte vetëm shembulli që në gjyqësor qenkëshka një gjyqtare apo gjyqtar që mendon ndryshe dhe nuk është dakord me një pjesë që nuk është në rresht, dhe atij i krijon idenë se kjo gjë mund t’i shthurë sistemin,’ theksoi ai, në SYRI TV.
Për Shkullakun, kryeministri nuk pranon dot që të ketë një zë, sado minor, që ta kundërshtojë brenda sistemit.
‘Rama e bën këtë gjë për të thënë se nuk mund të ketë asnjë që ta kundërshtojë pushtetin e tij, aq më pak në Gjykatë Kushtetuese, president e çfarë janë këta, që u thotë ‘unë ju kam vënë’,’ tha ndër të tjera në SYRI TV, analisti Armand Shkullaku.
© SYRI.net