Skandalet me pronat nuk kanë fund, ndërsa institucionet vazhdojnë të mbyllin sytë përballë abuzimeve të hapura.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” me gazetarin Flavio Qarri, inxhinieri gjeolog Arben Myzeqari hodhi akuza të rënda ndaj shtetit, duke e quajtur Prokurorinë e Fierit “organizatën më të rrezikshme kriminale” që, sipas tij, ka kthyer qytetin në një “shtet mafioz”.
Myzeqari tregoi rastin e tij konkret, ku edhe pse ka dokumente të rregullta të pronësisë dhe vendime ligjore në favor, prona i është grabitur me firmë e vulë, ndërsa drejtësia ka zgjedhur të heshtë.
“Kam paguar miliona, kam të gjitha vendimet, dhe prapë trajtohem si kriminel,” – deklaroi ai me tone të forta, duke rrëfyer se si përplasja me shtetin e ka çuar deri në burg.
Pjesë nga deklarata:
Unë kam dokumentet. Është vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i vitit 1999. Fotokopje pas fotokopjeje, sot ndodhet në Prokurorinë e Fierit, në një dosje që nuk po hetohet. Me këtë dokument është marrë shuma prej 2 miliardë e 200 milionë lekësh.
Në atë kohë, sipas ligjit të legalizimit, 80% e shumës që paguanim shkonte në buxhetin e shtetit, për të kompensuar këta hajdutë, ndërsa 20% e merrte bashkia. Unë i kam bërë një kërkesë bashkisë, së bashku me avokatin, për të ditur ku janë këto 20% dhe taksa e infrastrukturës që kam paguar. Deri më sot, nuk kemi marrë asnjë informacion.
Ndërkohë, unë kam paguar 113 milionë lekë. Ata më thonë: ‘Shko në gjyq’. E bëra gjyqin. Sokol Sadushi ka qenë anëtar i trupit gjykues dhe më ka dhënë të drejtë. Është rrëzuar pretendimi i palës paditëse për ‘lirim dorezim sendi’.
Ata jo vetëm që morën 2.5 miliardë lekë, por tani duan të më marrin edhe truallin. Para dy ditësh, avokati nuk mori përgjigje për dosjen e dërguar te Lorena Kocobelli. Dosja ka 135 faqe. As vetë avokati nuk ka dijeni se çfarë ka brenda ajo dosje.
Ata nuk i përgjigjen avokatit. Do të më përgjigjen mua, që prej 14 vitesh them se organizata më e rrezikshme kriminale është Prokuroria e Fierit, e cila e ka kthyer Fierin në një qytet-shtet mafioz.
Qytetarët e Fierit, punëtorë të ndershëm që punojnë me djersën e ballit, nuk i hapin dot dyert. Njoh njerëz që kanë bërë burg pa faj, siç ndodhi edhe me mua.
Për mua u vendosën dy masa sigurie brenda 30 minutash! U trajtova si kryekrimineli i Fierit unë, që denoncoja vjedhjen e pasurisë shtetërore!
Kjo është një histori për të bërë film, një film me mafien
© SYRI.net