Pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra gjatë ushtrimit të detyrës, deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, ka reaguar në një intervistë për edicionin e pasdites në Syri TV, duke e quajtur ngjarjen një alarm të fortë për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe perceptimin që qytetarët kanë ndaj tij.
Sipas Bylykbashit, në shoqëri është krijuar një mllef i rrezikshëm ndaj gjyqtarëve dhe magjistratëve, i cili, pavarësisht shkaqeve, është krejtësisht i papranueshëm.
Deputeti theksoi se ky mllef është shndërruar në forma të rënda reagimi publik, që në disa raste shkojnë deri te mallkimet dhe vetëgjyqësia, çka sipas tij, përbën rrezik për rendin moral dhe shoqëror.
“Ka një mllef të tmerrshëm mbi gjyqtarët, mbi magjistratët që është i papranueshëm. Nuk po flasim për kritiken, por edhe në formën e mallkimeve janë krejtësisht të papranueshëm. Në themel, ato kontekstohen te fjala, është vetëgjyqësia ajo që del në pah dhe një nga gjërat më të papranueshme, jo të ligjit, por të moralit të shoqërisë,” – u shpreh Bylykbashi.
Megjithatë, ai shtoi se ky reagim vjen si pasojë e mungesës së drejtësisë ndër vite, pasi qytetarët kanë perceptuar padrejtësinë si një realitet të vazhdueshëm.
Sipas tij, kjo gjendje e rëndë ka bërë që njerëzit të ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer, por kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për akte të rënda si vrasja e një gjyqtari.
“Padrejtësia është një gjë, mungesa e drejtësisë është një gjë tjetër. Njerëzve u ka ardhur shpirti në majë të hundës, por kjo nuk justifikon vrasjen. Edhe sikur vendimi më i gabuar të ishte, vrasja është diçka e patolerueshme. Organet duhet me shpejtësi të bëjnë drejtësi në maksimumin e vet,” – theksoi ai.
Bylykbashi kërkoi që kjo ngjarje të shërbejë si një pikë reflektimi, jo vetëm për qytetarët, por edhe për klasën politike, e cila sipas tij ka kontribuar në degradimin e perceptimit publik ndaj drejtësisë.
“Duhet të jetë një pikë kthese për shumë veta, edhe për politikanët që flasin, nuk lënë studio pa folur e pa bërë deklarata, pa bërë postime. Duhet të ndalen një moment dhe të mendojnë: si erdhëm deri këtu?” – tha ai.
Në lidhje me reformën në drejtësi, deputeti demokrat u shpreh se ajo dështoi në qëllimin e saj kryesor, pasi nuk solli ndryshime reale në funksionimin e gjykatave, por u përqendrua në zëvendësime njerëzish dhe jo në përmirësim ligjor.
“Me reformën në drejtësi nuk u reformuan ligjet proceduriale për të funksionuar gjykatat më shpejt. U ndryshuan njerëzit, u hoqën drejtuesit e sistemit, e më pas gjyqtarët e prokurorët. Ishte histori kapjeje mes individësh, jo për ta bërë më të thjeshtë çështjen,” – deklaroi Bylykbashi.
Sipas tij, reforma në drejtësi ka prodhuar një “monstruozitet institucional”, që po thellon ndjesinë e padrejtësisë te qytetarët.
Ai shtoi se shumica e njerëzve sot nuk kuptojnë detajet e reformës, por e ndjejnë pasojën e saj përmes humbjes së besimit tek shteti dhe ligji.
Bylykbashi:
Ka një mllef të tmerrshëm mbi gjyqtarët, mbi magjistratët që është i papranueshëm, pra i shprehur.
Nuk po flasim për kritiken, por edhe në formën e mallkimeve, janë krejtësisht të papranueshëm, në formën që në themel ato kontekstohen te fjala, është vetëgjyqësia ajo që del në pah dhe një nga gjërat më të papranueshme, jo të ligjit, por të moralit të shoqërisë është vetëgjyqësia.
Por sigurisht kjo nga ana tjetër vjen edhe për një arsye tjetër, sepse njerëzit kanë perceptuar për një kohë shumë të gjatë mungesën e drejtësisë, padrejtësinë.
Pra padrejtësia është një gjë, mungesa e drejtësisë është një gjë tjetër, dhe u ka ardhur shpirti atje ku nuk bën më, por sigurisht kjo nuk justifikon vrasjen, sikur vendimi më i gabuar të ishte, vrasja është diçka e patolerueshme, ndaj dhe organet duhet me shpejtësi të bëjnë drejtësi në maksimumin e vet, sepse siç e thashë, nuk është as rast, nuk është as precedent, është më shumë.
Duhet të jetë një pikë kthese për shumë veta, edhe për politikanët që flasin, nuk lënë studio pa folur e pa bërë deklarata, pa bërë postim. Duhet të ndalen një moment dhe të mendojnë, ore si erdhëm deri këtu.
Ku dështoi ky shtet që nuk e ktheu prioritetin aty ku duhej, në kohën e duhur?
Me reformën në drejtësi nuk u reformuan ligjet proceduriale për të funksionuar gjykatat më shpejt, u ndryshuan njerëzit, u hoqën drejtuesit e sistemit, e më pas gjyqtarët e prokurorët, pra ishte histori kapjeje mes individësh, jo si ta bënim më të thjeshtë çështjen.
Reforma në drejtësi prodhoi një monstruozitet i cili tashmë po agravon edhe më shumë sensin e padrejtësisë, dhe njerëzve mos ua kërkojmë ne, siç di unë apo kolegë të mi, detaje të reformës në drejtësi, nuk i kuptojnë, i bien shkurt, është shteti, ky më hoqi jetën duke më hequr të drejtën.
© SYRI.net