'PD kërkon interpelancë urgjente me Ramën', Bardhi: Të përgjigjet për takimin e dokumentuar nga Antimafia në Aruba (Dokumenti)

'PD kërkon interpelancë urgjente me Ramën', Bardhi: Të përgjigjet për takimin e dokumentuar nga Antimafia në Aruba (Dokumenti)

13:42, 06/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një postim në rrjetet sociale, ka njoftuar se PD i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në ekonominë shqiptare dhe fuqizimin e tij përmes lejeve, licencave dhe fondeve publike, që po përdoren si mekanizma për pastrimin e parave të pista.

Sipas Bardhit, është koha që kryeministri të japë llogari para Kuvendit për lidhjet e qeverisë me eksponentë të botës së krimit, përfshirë edhe takimin e dokumentuar nga Antimafia italiane në ishullin Aruba, ku dyshohet se kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të ekzekutivit shqiptar.

PD kërkon që Rama të shpjegojë publikisht nëse ka njohuri apo përfshirje direkte në marrëdhënie me persona të shpallur si drejtues të organizatave ndërkombëtare të trafikut të drogës, si dhe çfarë masash ka ndërmarrë për të parandaluar kapjen e ekonomisë nga krimi i organizuar.

DOKUMENTI: 

Postimi i plotë:

Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe fuqizimin e tij përmes lejeve, licencave apo fondeve publike, që shërbejnë si mekanizëm për pastrimin e parave të pista.
Kryeministri Edi Rama duhet të japë sqarime Kuvendit lidhur me çështjet më poshtë:
· A ka dijeni Kryeministri Edi Rama për takimin e dokumentuar nga Antimafia Italiane të zhvilluar në periudhën 24–31 Janar 2019, në ishullin Aruba, në Karaibe, zyrtarisht territor i Mbretërisë së Hollandës?
· Kush janë eksponentët e lartë të Qeverisë shqiptare, që kanë marrë pjesë në atë takim dhe a është informuar Kryeministri Edi Rama prej tyre apo shërbimeve të sigurisë kombëtare mbi përmbajtjen e takimit?
· A ka përfituar shtetasi Artur Shehu, apo persona të lidhur me të, leje ndërtimi; licenca; punë publike; marrëveshje koncesioni apo partneriteti publik-privat; prokurime publike apo fonde publike, nga Qeveria Shqiptare apo institucionet nën varësinë e ekzekutivit?
· A është takuar ndonjeherë Kryeministri Edi Rama me shtetasin Artur Shtetit, apo ka zhvilluar ndonjëherë takime qeveritare apo elektorale në pronat e paluajtshme në pronësi të këtij shtetasi, që rezulton të jetë një person i skeduar nga disa agjenci ligjzbatuese si drejtues i një organizate ndërkombëtare kriminale të trafikut të drogës?
· Cfarë masash ka marrë Kryeministri, si drejtues i Këshillit të Ministrave, për të parandaluar që krimi i organizuar të ketë ndikim të ndjeshëm në ekonominë shqiptare, apo të mos dëmtojë konkurencën e lirë në treg, sic citon edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit?
Mbetet të shihet të enjten nëse Edi Rama do të respektojë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve legjitime. A do marrrë ai guximintë vijë në Kuvend dhe të pranojë fuqizimin e një personi të shpallur si kreu i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco