Nga shkarkimi i Peleshit te ligji i mbetjeve/ Mblidhen Këshilli i Legjislacionit dhe 6 komisione

Nga shkarkimi i Peleshit te ligji i mbetjeve/ Mblidhen Këshilli i Legjislacionit dhe 6 komisione

07:51, 06/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E hëna e 6 tetorit shënon një ditë të mbushur për jetën parlamentare, pasi në Kuvend do të zhvillohen mbledhje të njëpasnjëshme të gjashtë komisioneve parlamentare dhe të Këshillit të Legjislacionit.

Në orën 11:00 pritet konstituimi i Këshillit të Legjislacionit, i cili sipas rendit të ditës do të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në të njëjtën orë, Komisioni për Edukimin dhe Shkencën do të zhvillojë një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Fokusi do të jetë te masat e marra për nisjen e vitit të ri shkollor 2025–2026 në arsimin parauniversitar.

Në orën 11:30, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme do të shqyrtojë dy projektligje:

Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”;

Si dhe projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Po në orën 11:30, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të zhvillojë një mbledhje të përbashkët me Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Gjatë kësaj mbledhjeje do të prezantohet raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2024.

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetët do të diskutojnë projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në cilësinë e komisionit dhënës të mendimit.

Ndërsa në orën 13:00, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm do të mbajë një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku AKEP-i do të paraqesë raportin e tij vjetor për vitin 2024.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco