SYRI TV
Opozita ngriti shqetësimin për situatën e sigurisë dhe rendit në vend, duke akuzuar qeverinë për lidhje me krimin, në mbledhjen e parë të konstituimit të Komisionit për Çështjet e Brendshme. Edhe në mbledhjen e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, kryetarja Ina Zhupa deklaroi se duhet të adresohen problemet me votën e diasporës dhe largimin masiv të shqiptarëve jashtë vendit.
Mbledhjet e konstituimit të komisioneve parlamentare nisën me akuza mes palëve politike.
Në mbledhjen e parë të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, që drejtohet nga Bledi Çuçi, deputetët demokratë Flamur Noka dhe Klevis Balliu morën fjalën, duke bërë akuza të forta për qeverinë për lidhje me krimin, duke iu referuar raporteve të fundit të DASH, por edhe publikimeve të investigimeve nga mediat e huaja.
Deputetët e opozitës ngritën alarmin për situatën e sigurisë në vend, duke thënë se rendi ka rënë në duart e bandave kriminale.
Edhe mbledhja e parë e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën nxorri menjëherë në pah diskutimet që do të dominojnë këtë komision.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, deklaroi se ky komision duhet të adresojë problematikat me votën e diasporës, referuar manipulimit që u bë në 11 maj, dhe çështjet e largimit masiv të shqiptarëve nga vendi.
Këtë të mërkurë u konstitua edhe Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, që do të drejtohet nga Luciano Boçi.
© SYRI.net